12:36 / E Martë, 13 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Sherifi: Kosova ka nevojë për imazh pozitiv, por jo përmes Gjykatës Speciale   

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka komentuar deklaratën e Daniel Serwer se “Gjykata Speciale do të përmirësojë imazhin e Kosovës”.

Përmes një postimi në Facebook, Sherifi ka thënë se Gjykatat nuk krijohen për të shkatërruar apo përmirësuar imazhin e dikujt.

Sipas tij, një gjë e tillë është e padrejtë pasi nuk është krijuar dhe një e tillë në Serbi.

Ky është postimi i tij:

Kosova ka nevojë për imazh pozitiv ndryshe, jo përmes Gjykatës Speciale!

Gjykatat nuk krijohen për të shkatërruar apo përmirësuar imazhin e dikujt. Ato duhet të sjellin drejtësi për të gjitha krimet e kryera.

Kur dëgjoj se gjoja Gjykata Speciale do të përmirësojë imazhin e Kosovës, siç pohoi z. Daniel Serëer, nuk mund të rri pa shtruar pyetje se për çfarë arsye të gjithë miqtë e Serbisë nuk këmbëngulën t’i krijonin një gjykatë të kësaj natyre për t’ia mundësuar përmirësimin e imazhit pas gjenocidit në Kosovë.

Përkundrazi, edhe pse ishin të vetëdijshëm se në krye të shtetit serb janë kuadrot e moçme të ricikluara me petkun e ri, kompetencat për t’i dënuar kriminelët ia lanë gjykatave vendore të shteti që kreu gjenocid!

Fillimi i funksionimit të Gjykatës Speciale dhe sidomos nga momenti kur do të bëhen publike aktakuzat e para në qendër të opinionit publik ndërkombëtar do të jetë Imazhi i Kosovës përmes pretendimeve serbe se gjoja figurat kyçe të UÇK-së kanë bërë krime kundër serbëve.

Ky imazh do të mbetet gjatë kohë i ngulitur në imagjinatën e atyre që do ta shohin. Do të jenë të rrallë ata që do t’i përcjellin zhvillimet e këtyre proceseve gjyqësore të motivuara politikisht. Është e vërtetë që Kosova ka nevojë për imazh pozitiv. Por ndryshe! Jo përmes Gjykatës Speciale!