15:20 / E Hënë, 27 Mars 2023 / LB

Shkaktari i zjarrit në IML dyshohet se ishte defekti në instalimin elektrik, flet edhe Prokuroria

Defekti në instalimin elektrik po dyshohet se ka qenë shkaktari i zjarrit që kaploi një pjesë të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore mbrëmjen e së shtunës.

Madje, zëvendësdrejtori i IML-së, Ditor Haliti e përjashton mundësinë që dora e njeriut ta ketë shkaktuar zjarrin. E nga ky zjarr dëmet po konsiderohet se nuk janë të mëdha, por që komisioni vlerësues do të bëjë vlerësimin e dëmit të shkaktuar. Zëvendësdrejtori i institutit thotë se ka vetëm dëme materiale jo me vlerë të madhe.

Ai thekson se me të marr informacionin në kohë ishin ekipet e zjarrfikësve dhe të policisë të cilët arritën ta lokalizonin zjarrin.
Haliti thotë se nga zjarri është dëmtuar një pjesë e objektit që është shfrytëzuar për qëllime logjistike dhe po ashtu disa pako letre që kanë qenë të zbrazëta. Sipas tij, falë intervenimit të shpejtë nuk ka pasur rrezik që zjarri ta kaplojë gjithë IML-në.

Ditor Haliti përjashton mundësinë që dora e njeriut të ketë shkaktuar këtë zjarr, pasi shton se edhe në pamjet e kamerave të sigurisë shihet që shkëndija flake dalin si pasojë e instalimit të rrymës.

“Ne i kemi shikuar edhe kamerat së bashku me policinë dhe shihet shumë qartë momenti se kur fillon zjarri dhe nuk ka kurrfarë elementi, faktori njeri përjashtohet plotësisht dhe në bazë të kamerave shihet qartë se ka qenë thjesht një aksident për shkak të defektit elektrik”, thotë Haliti.
Ndërsa, për këto dëme Instituti i Mjekësisë Ligjore do të formojë një Komision për vlerësim të dëmeve. Sipas Halitit, është e nevojshme të instalohet një sistem i mirë instalimi që mos të rrezikohet ky institucion.
Ndërsa zëdhënësja për medie nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Laureta Ulaj thotë për KosovaPress se janë në pritje të raporteve me të gjeturat nga ekzaminimet e kryera.

E gjatë ditës së djeshme Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte njoftuar se lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë të shtunën, janë intervistuar zyrtarë të IML-së, të cilët kanë qenë kujdestarë në kohën kur ka ndodhur incidenti.