19:04 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

Shkarkohet Prorektorja Teuta Pustina – Krasniqi

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me 29. 03. 2018 diskutoi mbi situatën e krijuar pas deklaratave të prorektores për marrëdhënie me jashtë Prof. ass. dr. Teuta Pustina-Krasniqi lidhur me çështjen e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.

Këshilli Drejtues distancohet nga deklaratat individuale të prorektores Pustina-Krasniqi, të cilat edhe pse sipas saj të paqëllimshme kanë zgjuar reagimin e segmenteve të shoqërisë civile dhe kërkesave për përgjegjësi nga Parlamenti Studentor i UP-së.

Këshilli Drejtues i UP-së mbetet i përkushtuar thellë në luftimin e të gjitha dukurive negative në UP duke zbatuar ligjin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Në një situatë të tillë, Këshilli Drejtues i UP-së në suaza të përgjegjësive të veta statutare, respektivisht nenit 15 të Rregullores së punës së Këshillit Drejtues të UP-së, me votim të fshehtë vendosi për shkarkimin nga detyra të prorektores Prof. ass. dr. Teuta Pustina-Krasniqi .

Këshilli Drejtues shpreh vlerësimin e vet për punën e deritanishme të Prof. Pustina-Krasniqi./Indeksonline/