14:51 / E Premte, 30 Mars 2018 / indeksADMonline

Shkëlqeu me U-21 të Kosovës, kroatët thurin elozhe për Ardian Ismajlin

Loja e mirë  e Kosovës U-21 ndaj Gjermanisë ka bërë që mediat ndërkombëtare të kenë vëmendjen tek shumë prej futbollistëve që u paraqitën në fushë. Portali kroat “Slobodnadalmacija”, duke analizuar performancën e futbollistëve të Hajdukut në kombëtaret e tyre, ka vënë në theks të veçantë lojën fantastike të mbrojtësit Ardjan Ismajli.

Kapiteni 21-vjeçar ishte një nga më të mirët në mbrojtje, ndërsa tashmë po kalon vitin e dytë në futbollin kroat, por pa arritur të ketë minutazhin e duhur, pasi deri tani ka zhvilluar 7 ndeshje gjatë këtij sezoni. Nizhiq dhe Lopes janë startues tek Hajduku, ndërsa Savvas Gentsoglou është një tjetër mbrojtës shton konkurrencën. Portali shkruan se konkurrenca në mbrojtje te Hajduku në këtë moment është shumë e fortë, mirëpo me durimin e kosovarit, gjërat mund të përmirësohen në vazhdim, pasi performanca e tij po vjen në ngritje.

Gjithnjë, sipas “Slobodnadalmacija”, në Mitrovicë mbrëmjen e së martës ishin edhe manaxher të klubit italian, Atalanta për të ndjekur nga afër ndeshjen, duke spikatur Ismajlin, madje është parë edhe duke biseduar me ta. Nuk ka detaje nëse ka ndonjë marrëveshje paraprake apo jo, mirëpo paraqitja e mirë në ndeshjen ndaj Gjermanisë, mund t’i hapë rrugë Ismajlit për të kaluar në ndonjë kampionat të fortë evropian.