16:51 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Shkodra: Ekstremizmi dhe radikalizmi i dhunshëm janë shndërruar në kërcënim të sigurisë globale

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Abduselami Shkodra ka marrë pjesë në konferencën nacionale me temën: “Edukimi, çelës për t’u përballur me ekstremizmin dhe radikalizmin online”.

Zëvendësministrit Shkodra në këtë conference ka thënë se ekstremizmi dhe radikalizmi i dhunshëm janë shndërruar në kërcënim të sigurisë globale dhe sipas tij adresimi i tyre tani ka hy në agjendën e prioriteteve të shteteve që janë direkt të prekura nga ky kërcënim.

“Vende të ndryshme janë përpjekur të krijojnë modalitete kontekstualisht të përshtatshme për ta trajtuar ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm në mënyrë sa më efektive dhe efikase. Por, është e rëndësishme të përmendet se në krye të listës së mekanizmave të politikave kundër ekstremizmit dhe radikalizmit e dhunshëm, për të gjitha shtetet e prekura, është edukimi, duke mos përjashtuar edhe rëndësinë që kanë mekanizmat tjerë.  Edukimi, e veçanërisht edukimi cilësor, konsiderohet mekanizmi më frytdhënës për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm”, ka thënë Shkodra.

Bashkëngjitur keni fjalimin e zëvendësministrit Shkodra në këtë konferencë.

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Ekstremizmi dhe radikalizmi i dhunshëm janë shndërruar në kërcënim të sigurisë globale dhe rrjedhimisht adresimi i tyre tani ka hy në agjendën e prioriteteve të shteteve që janë direkt të prekura nga ky kërcënim. Edhe Kosova si pjesë e familjes së shteteve në nivel global nuk është kursyer nga kjo e keqe e njerëzimit dhe ky rrezik global. Andaj, Republika e Kosovës konsideron ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm si ndër sfidat më të mëdha më të cilat përballet vendi, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë shoqëror e politik.

Vende të ndryshme janë përpjekur të krijojnë modalitete kontekstualisht të përshtatshme për ta trajtuar ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm në mënyrë sa më efektive dhe efikase. Por, është e rëndësishme të përmendet se në krye të listës së mekanizmave të politikave kundër ekstremizmit dhe radikalizmit e dhunshëm, për të gjitha shtetet e prekura, është edukimi, duke mos përjashtuar edhe rëndësinë që kanë mekanizmat tjerë.
Edukimi, e veçanërisht edukimi cilësor, konsiderohet mekanizmi më frytdhënës për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.

Edukimi cilësor është i pa zëvendësueshëm në këtë drejtim. Kjo le të kuptohet, gjithashtu që mungesa e një edukimi cilësor, të ndërtuar mbi parime të shëndosha, është shkaktari dhe prodhuesi kryesor, por jo i vetëm, i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Mu për këtë, edukimi në përgjithësi duhet të konsiderohet si mekanizëm bartës, me mekanizma tjerë komplementues, i politikave kombëtare dhe globale në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmin e dhunshëm. Asgjë s’mund të shndërroj një shoqëri në një vend të pëlleshëm për ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm, se sa injoranca dhe padituria që krijohen dhe zhvillohen si rezultat i edukimit jo cilësor dhe jo të bazuar në baza të shëndosha.

Edukimi mund të mos duket efektivë në rezultatet afatshkurta dhe të izoluara individuale, por është ai që garanton transformimin socio-kulturor në një sistem ku nuk mund të kultivohet e zhvillohet ideologjia e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, një sistem vet përjashtues për një ideologji të tillë. Mu për këtë, edukimi cilësor dhe sistemi i arsimimit duhet të jetë i orientuar drejt zhvillimit të vlerave civile, liberale, demokratike, pluraliste, mendimit kritik dhe vlerat individualiste e të ndërmarrësisë – si nevojë akute sidomos për shoqërinë tonë tepër konservatore. Aktualisht, niveli i cilësisë së arsimit në Kosovë lë shumë për të dëshiruar, dhe kërkon reformë të thellë substanciale, duke filluar nga substanca dhe rezultatet e pritura në kurrikula.

Për më tepër, edukimi formal duhet të komplementohet edhe me edukimin joformal, sidomos përmes ngritjes së vetëdijes dhe ndërgjegjes qytetare përmes kampanjave të ndryshme, ku këtu një rol të rëndësishëm kanë OJQ-të dhe shoqëria civile, përfshi komunitetet fetare me rol konstruktiv në përballje me një ideologji të tillë.

Krahas mekanizmit të edukimit, si atë formal ashtu edhe atë joformal, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarr edhe një sërë masa të menjëhershme duke përdorë mekanizma legjislativ dhe praktik, si: hartimin e strategjisë kombëtare, ligjit që ndalon bashkimin në luftëra të huaja, ngritjen e vigjilencës nga organet e rendit dhe sigurisë për personat dhe aktivitetet që kontribuojnë në përhapjen e ideologjisë së ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, mbikëqyrja dhe kontrolli i financave të OJQ-vë të cilat mund të kenë qëllim përhapjen e një ideologjie të tillë, fuqizimi i njësisë së inteligjencës financiare në këtë drejtim, arrestimi dhe trajtimi i një numri personave të dyshuar si kontribuues në përhapjen e kësaj ideologjie dhe rekrutimin e disa të rinjve për të iu bashkuar organizatës terroriste ISIS, de-radikalizimi i personave të kthyer nga vatrat e luftës, etj. Veprime këto që kanë dhënë rezultate të prekshme.

Një burim i fuqishëm, ndër të tjera, në përhapjen e kësaj ideologji është edhe interneti, ku aktualisht qasja në të në Kosovë është pothuajse e pa rregulluar fare. Andaj, për ta trajtuar këtë, do të marrim iniciativën për krijimi e infrastrukturës ligjore dhe teknike që të shtohet niveli i rregullimit dhe kontrollit institucional në qasjen në internet, në kuptimin e ndalimit të hapjes së ëebfaqeve dhe videove të cilat kanë për mesazh ideologjinë e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Në përgjithësi, mund të konkludohet se Kosova ka bërë shumë në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, por mbetet ende shumë për tu bërë, në vazhdimësi dhe me konsistencë, si në edukim ashtu edhe me mekanizmat tjera rregullativ, ligjor, e praktik. Krahas politikave afatshkurte, kjo e keqe globale kërkon edhe trajtim afatgjatë.

Ju Faleminderit!