21:44 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

Shpallet aktgjykimi në rastin e babait dhe të birit të akuzuar për kultivim të hashashit

Në gjykimin e babait dhe të birit, të dy të akuzuar për kultivim të bimës së hashashit, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor Gjykata ka shpallur aktgjykimin.

Trupi gjykues në krye me gjyqtarin Mustaf Tahiri ka shpallur aktgjykim me anë të të cilit të akuzuarin Granit Rafuna e ka shpallur fajtor për veprën penale kultivimi i bimës së hashashit ose bimëve të kanabisit, në atë mënyrë që ndaj tij është shqiptuar dënimi prej 10 muajve burgim me kusht, për periudhën verifikuese 2 vite, ashtu që nëse i njëjti nuk kryen tjetër vepër penale në periudhë prej 2 viteve atëherë ky dënim nuk do të ekzekutohet.

Në të kundërtën do ta vuajë dënimin me burgim si dhe do të dënohet edhe për veprën tjetër të kryer.

Ndërsa ndaj Ibrahim Rafunës Gjykata ka nxjerrë aktgjykim lirues.

Gjatë fjalës përfundimtare prokurorja e rastit Ferdane Sylejmani i kërkoi Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit, pasi që sipas prokurores pas administrimit të provave është arritur të vërtetohet se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

“Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale nga mbrojtja dhe provat e administruara është vërtetuar se nga veprimet e përbashkëta të akuzuarit e kanë kryer veprën penale kultivimi i hashashit. I propozoj Gjykatës që t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë për kryerje të veprës penale në bashkëkryerje kultivim i bimëve të hashashit apo kanabisit”, tha prokurorja Sylejmani.

Kurse mbrojtësja e të akuzuarit Granit Rafuna, avokatja Donikë Dobruna, deklaroi se sipas saj Prokuroria nuk ka arritur të provojë dashjen direkte kundrejt të mbrojturit të saj i cili sipas avokates ka vepruar në lajthitje.

“Nuk ka veprim, as qëllim, dashja direkte mungon. Graniti ka vepruar në lajthim faktik dhe në asnjë mënyrë nuk mund të jetë përgjegjës për veprimin apo jo të personave të tjerë”, tha avokatja.

Ajo tha se i akuzuari Granit Rafuna nuk ka qenë i vetëdijshëm se ato bimë të cilat i ka mbjellë kanë qenë bimë narkotike pasi që ai ka menduar që janë fara të luleve.

“Nuk ka qenë i vetëdijshëm se po prodhon bimë nga të cilat do të kultivoheshin bimë narkotike, ai ka vepruar në lajthim faktik, nuk ka qenë i vetëdijshëm pasi që ai ka menduar që janë fara të luleve”, deklaroi Dobruna.

Prandaj i kërkoi Gjykatës që të mbrojturin e saj ta lirojë nga aktakuza e në rast të dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese.

“I akuzuari të lirohet, eventualisht nëse Gjykata e gjen fajtor të marrë për bazë rrethanat lehtësuese, mosha, gjendja financiare sjellja e tij e mëparshme dhe gjendja shëndetësore”, tha avokatja Donikë Dobruna.

Edhe avokati Shpend Bokshi tha se i mbrojturi i tij, Ibrahim Rafuna, është i pafajshëm pasi që sipas tij me asnjë provë nuk është arritur të argumentohet asnjë pretendim i Prokurorisë pasi që sipas avokatit në veprimet e të mbrojturit të tij nuk ekziston vepra penale për të cilën akuzohet.

“Provat e administruara nuk argumentojnë asgjë në raport me të mbrojturin tim, ndërsa në veprimet e të mbrojturit tim nuk ekziston asnjë vepër penale për të cilën akuzohet. I mbrojturi im nuk ka kultivuar asnjë bimë narkotike. Ekzistojnë kushtet ligjore që ndaj të mbrojturit tim të merret aktgjykim lirues”, tha avokati Bokshi.

Sipas aktakuzës, Ibrahim e Granit Rafuna, babë e bir, pa autorizim kanë kultivuar bimën kanabis me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope.

Në bazë të aktakuzës, babë e bir, Ibrahim e Granit Rafuna prej kohës së pavërtetuar në kopshtin e shtëpisë së të akuzuarit Ibrahim Rafuna, në fshatin Shkabaj të Prishtinës, kanë mbjellë bimë kanabis, të cilat i kanë ujitur dhe janë përkujdesur për to.

Sipas Prokurorisë më 30 qershor 2015, gjatë kontrollimit nga ana e Policisë, në këtë kopsht janë gjetur të mbjella (9) nëntë bimë të dyshuara narkotike “kanabis sativa” me lartësi rreth 50 cm, ndërsa në vazo po ashtu kanë qenë të mbjella dy bimë të llojit të njëjtë, gjithsej 11 (njëmbëdhjetë) rrënjë, të cilat bimë janë konfiskuar nga Policia, ndërsa pas ekspertizës ka rezultuar se te këto bimë është prezent Kanabisi (Marihuana), që përmban Tetrahidrokanabinol (THC).

Me anë të këtyre veprimeve Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale kultivimi i bimës së hashashit ose bimëve të kanabisit./Kallxo.com/