09:53 / E Martë, 08 Maj 2018 / indeksADMonline

Shpërthen dhuna pas zgjedhjeve parlamentare në Liban

Në kryeqytetin e Libanit ka shpërthyer dhunë pas zgjedhjeve të para të përgjithshme prej nëntë vitesh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Libanit (NNA), një grup motoçiklistësh të armatosur në lagjen Saint-George të Bejrut ka mbuluar statujën e ish-kryeministrit libanez Rafiq Hariri me flamur partie politike.

Grupi më vonë ka shkuar në qarkun Aicha Bakkar në pjesën perëndimore të kryeqytetit dhe ka hapur zjarr.

Sipas NNA, nuk është raportuar asnjë viktimë.

Pas incidenteve, kryeministri Saad Hariri thirri Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Joseph Aoun dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Forcave të Sigurisë së Brendshme gjeneralmajor Imad Osman për të parandaluar dhunën nga përshkallëzimi i mëtejshëm dhe për të marrë masat e nevojshme.

Forcat e armatosura krijuan pika të sigurisë dhe filluan të patrullojnë në qytet për të ofruar siguri.

Kryetari i Parlamentit dhe udhëheqësi i Lëvizjes Amal, Nabih Berri, dënoi trazirat në rrugët e Bejrutit.

“Ne i dënojmë këto incidente të neveritshme që mbështetësit e Hezbollahut dhe mbështetësit e Lëvizjes Amal i kryen në kryeqytet”, tha ai.

Zgjedhjet

Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të së dielës, koalicioni midis Hezbollahut dhe Lëvizjes Amal siguroi numrin më të lartë të vendeve në asamble, 34 nga gjithsej 128 vende.

Lëvizja e Lirë Patriotike e presidentit Michel Aoun pritet të radhitet e dyta me të paktën 26 vende.

Rezultatet treguan gjithashtu se Partia Forcat Libaneze e udhëhequr nga Samir Geagea ka siguruar 15 vende.

Në një rast të paprecedent, shoqëria civile ka thyer rrjedhën tradicionale politike, pasi shtatë kandidatë të pavarur, duke përfshirë pesë gra, fituan vende në parlament.

Zgjedhjet e së dielës në Liban kishin pjesëmarrje të ulët prej 49,2 për qind.

Në zgjedhje morën pjesë gjithsej 917 kandidatë nga disa parti politike që garuan për 128 vende, 64 për muslimanët dhe 64 për të krishterët, në asamblenë kombëtare.