75 Mall Live Search
20:44 / E Enjte, 06 Prill 2023 / Gj. Sh

“Shpërthimi” i Mbappe për përdorimin e imazhit, PSG zhduk videon për biletat

Situata mes Paris Saint-Germain dhe sulmuesit Kylian Mbappe nuk duket aspak pozitive.

Pasditen e kësaj të enjte francezi reagoi ashpër ndaj klubit, pasi e kishte vendosur atë si imazh kryesor në fushatën e abonimeve dhe shitjet e biletave për sezonin e ardhshëm.

“Sapo pashë fushatën e klubit për biletat e sezonit 2023-24 dhe dua të theksoj se në asnjë moment nuk kam qenë i informuar me përmbajtjen e videos. Nuk jam aspak dakord me videon që është postuar, sepse për këtë arsye unë kam luftuar për të drejtat e imazhit. PSG është një klub i madh, por nuk bëhet fjalë për “Kylian” Saint-Germain. Sinqerisht, Mbappe”, mbyll deklaratën e tij Mbappe.

Pas këtij reagimi, nga mediet franceze raportohet se PSG e zhduku menjëherë videon në fjalë.

Por për çfarë është revoltuar Kylian Mbappe?

E gjitha ka të bëjë me të drejtat e imazhit, sulmuesi francez është shumë i kujdesshëm në çdo spot apo përdorim të imazhit të tij dhe fakti që në këtë rast nuk ka qenë i informuar për përdorimin në fjalë e ka acaruar atë tej mase, duke bërë edhe një reagim publik kundër klubit ku është pjesë.