17:00 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Shpifjet e Federatës së Futbollit me shokë, ja komenti i UEFA-së

Federata e Futbollit të Kosovës kohëve të fundit është thirrur në përkrahjen e zyrtarëve më të lartë të UEFA-së, për mandatin 4 vjeçar të presidentit Agim Ademi.

“Çeferin në takimin që e patën me të gjithë krerët e federatave tregoi se është i njoftuar nga Ademi për gjithçka që nga fillimi dhe me këtë rast shprehu përkrahjen e fuqishme për presidentin Ademi dhe stafin e tij, duke treguar gatishmëri që t’i mbrojë në rrugën e drejt dhe të vështirë për ta mbajtur futbollin larg njerëzve të politikës dhe grupeve të interesit” shkruhet në njoftimin e FFK-së.

Indeksonline ka kontaktuar UEFA-në në lidhje me këtë çështje dhe në përgjigjën zyrtare që kemi marrë thuhet se Federata Evropiane e Futbollit nuk përzihet në punët e brendshme të Federatave.

“UEFA nuk komenton në çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e brendshme në Federata Kombëtare. Nëse flasim në përgjkithësi, në rast të ndërhyrjes politike ju referojmë të lexoni statutin e UEFA-së përkatësisht artikullin 9, poashtu edhe statutin e FIFA-së” thuhet në përgjigjën e UEFA-së.

Zyrtarët e FFK-së përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se edhe presidenti i FIFA-së, Gianni Infantino mund të ndërhyj në rastin e Federatës së Futbollit të Kosovës, nëse i kërkohet.

Megjithatë edhe sipas statutit të FIFA-së, presidenti i këtij institucioni nuk ka të drejtë të interferoj në çështjet e brendshme të asnjë Federate.