20:48 / E Enjte, 13 Shkurt 2020 / indeksADMonline

“Shqelmat e fundit” të sekretarit, Betim Reçica – Shtiret si viktimë për t’i ikur përgjegjësisë penale dhe shkarkimit!

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica ka raportuar sot në Policinë e Kosovës kinse është kërcënuar nga disa persona.

Ai ka thënë se është kanosur nga biznesmeni Valon Ademi dhe e ka quajtur si “njeri të afërm të ministër të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku”.

Indeksonline ka siguruar deklaratën e tij tek organet e rendit ku Reçica pretendon se Valon Ademi (përmes telefonit) e ka kërcënuar me jetë atë dhe familjen e tij.

Ai në deklaratën e PK-së ka thënë se pjesë e këtij  grupi janë edhe; Faton Shoshi, pronar i “Indeksonline” si dhe Nexhat Krasniqi.

Indeksonline ditëve të fundit ka bërë një seri shkrimesh për shkeljet dhe dallaveret që janë bërë në Ministrinë e Infrastrukturës në kohën e Pal Lekajt dhe varësit të tij, sekretarit aktual, Betim Reçica.

Të gjitha këto shkrime mediumi ynë i ka bërë duke u bazuar në dokumente autentike dhe shkresa zyrtare të cilat i ka siguruar nga burimet brenda MI-së.

Në këto dokumente shihen haptazi shkeljet të cilat janë bërë nga ana e sekretarit, Betim Reçica.

Deklarata e Reçicës ku përmendet emri i pronarit të “Indeksonline” kinse është pjesë e një grupi që ka shantazhuar sekretarin e MI-së është tërësisht e pavend dhe cenon rëndë lirinë e shprehjes dhe punës sonë profesionale.

Gazetari i mediumit tonë, këto dokumente i ka siguruar nga burime konfidenciale dhe të njëjtat nuk kanë për qëllim të shantazhojnë ndonjë person të caktuar. Thjeshtë, është pasqyra një vërtetë e cila dikujt “po i dhembë”.

I bëjmë thirrje sekretari Reçica që t’i kontestojë vërtetësinë e këtyre dokumenteve dhe jo të merret me pronarin e Indeksonline.

Indeksonline nesër do të publikojë dokumente ekskluzive ku do të paraqes edhe shumë shkelje të cilat i ka bërë sekretari Reçica në punën e tij tek MI-ja.

Gjithashtu, do të publikojmë edhe SMS-ët ku shihet qartë se sekretari Reçica absolutisht nuk është kërcënuar nga persona e mësipërm, përkundrazi ai ka bërë presione ku ka sulmuar mediumin tonë për publikimin e dokumenteve dhe shkrimeve që ka publikuar “Indeksonline”.

Duhet të theksojmë se sekretari Reçica duke nuhatur se për të gjitha shkeljet që i ka bërë (sipas burimeve të Indeksonline) është në prag të shkarkimit, ai në mënyrë tinëzare është munduar të njollos persona të caktuar vetëm e vetëm që ta ruaj ‘karrigen’ e Sekretarit.