16:28 / E Shtunë, 05 Maj 2018 / indeksADMonline

Shqipëri – Kosovë, mbyllet me barazim edhe miqësorja e dytë

Edhe miqësorja e dytë ndërmjet Kombëtareve U15 të Kosovës dhe Shqipërisë është mbyllur baras.

Pas duelit të zhvilluar para dy ditësh në Elbasan, edhe ndeshja e sotme që u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, ka përfunduar me rezultat identik 1:1. Ashtu sikurse në ndeshjen e parë, edhe këtë herë loja ka qenë e baraspeshuar, megjithëse këtë herë të parët në epërsi kaluan futbollistët e Kosovës, me golin e shënuar nga Elion Mahmuti, në minutën e 15-të.

Këtë epërsi të përzgjedhurit e Gazmend Halitit e Isa Sadriut, e mbajtën deri në fund të pjesës së parë, kur në minutën e 35-të kuqezinjtë arritën të barazojnë me golin e shënuar nga Alvi Mezani. Në pjesën e dytë të dyja ekipet patën disa mundësi shënimi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit të fitores. Gjithsesi, këto miqësore kanë qenë të rëndësishme për stafin e trajnerëve të dyja kombëtareve, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për sfidat që i presin në të ardhmen.