15:49 / E Hënë, 01 Janar 2018 / indeksADMonline

Shqipëri, një viktimë dhe 700 thirrje për ndihmë mjekësore gjatë natës së Vitit të Ri

Pavarësisht thirrjeve të autoriteteve për kujdes, nata e ndërrimit të viteve nuk kalon thuajse asnjëherë pa incidente. Të tilla pati edhe nata e mbrëmshme.

Më shumë se 700 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore gjatë natës së ndërrimit të viteve. Rasti më i rëndë u regjistrua në Laç, ku një 16 vjeçar humbi jetën në tarracën e banesës ku kishte hipur, për të lëshuar fishekzjarre.

I mituri u gjet me dëmtime në kokë dhe dyshohet se është qëlluar nga një plumb qorr ndërsa po kryen ekzaminime për të përcaktuar shkakun e saktë. Kurse në kryeqytet 7 autoambulanca që ishin në gatishmëri kanë kryer 142 misione.

“Kemi kryer 82 vizita në banesa nga të cilat 62 raste janë tranportuar në spital”, thotë Lejdi Kazazi, mjek në QKUM.

17 persona u dëmtuan lehtë nga fishekzjarret por për cfarë kërkuan ndihmë tjetër qytetarët ?

“Pas orës 12 kemi patur kërksa për ndihmë për konsumim të tepërt të alkolit apo problemet kardiake dhe me tensionin”, thotë Kazazi.

Ndërkohë policia ka konstatuar disa drejtues mjetesh të cilët kishin konsumuar alkol. Madje në një rast policia ndoqi një makinë deri në Rinas, shoferi i së cilës përvecse rezultoi nën efektin e alkolit ,ishte i shpallur në kërkim për një tjetër vepër penale.