14:22 / E Shtunë, 23 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Shqiptarët i grahin “toçakit”, jo shkollës !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Këtu, në MV, prodhohen analfabetët funksional. Nuk lejohet hapja e shkollës shqipe në Idrizovë. Fëmijët shqiptarë në Çashkë mësojnë maqedonisht. Ia ndërruan emrin shkollës në Bllacë, e pagëzuan me emrin e xhelatit serb. Ne themi parlamenti dydhomësh, maqedonasit thonë: JO, ju doni ta federalizoni shtetin. Gjyqësia të jep dënimin pse me emër e mbiemër quhesh shqiptar. “Minishengeni ballkanik” për interesa të Serbisë, e cila nuk kufizohet me Shqipërinë, po me Kosovën, tha pehlivani i politikës, kreu i ASH-së Zijadin Sela

—————————————————————

Pehlivani i politikës, strugani Zijadin Sela (ASH) i dha intervistë kanalit televiziv T7.

Sela ia nxori partallet qeverisë së Zoran Zaevit. Tregoi se shqiptarët edhe mëtej janë të diskriminuar në Maqedoninë e Veriut.

Ata i gëzojnë të drejtat në letër…

Pushteti i Zaevit investon, i derdhë paratë në vendbanimet maqedonase, jo në ato shqiptare. Kjo është për të ardhur keq…

Këtu, në këtë republikë të brishtë prodhohen analfabetët (shqiptarë) funksional, 90% prej tyre.

Sela foli për fenomenin e diplomave të “trafikave”. Bartësit e tyre, kuptohet janë në pozitë inferiore, të dëgjueshëm për regjimin.

Në Idrizovë ka shqiptarë, s’lejohet të hapet shkolla shqipe. Ndërkaq, në fshatin Çashkë fëmijët shqiptarë i ndjekin mësimet maqedonisht !

Dikur në Bllacë të Shkupit, shkolla fillore e mbante emrin e Ismail Qemajlit. Ia ndërruan emrin shkollës. Ajo tash mban emrin e një xhelati serb, i cili gjatë vitit 1945 masakroi 127 shqiptarë.

Shqiptarët e kanë vështirë të zënë punë. Nuk i bëjnë hesap. Tomislav Jankulovski, i deklaruar shqiptar, punësohet si shqiptar !

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela shprehu habinë. Ai tha: Në Strugë rrojnë 70% shqiptarë, asnjë rrugë nuk mban emrin e shqiptarit.

Ne themi parlamenti dydhomësh, maqedonasit thonë JO – ju doni ta federalizoni shtetin !

Sela iu bie flakaresh rivalëve politik (shqiptarëve), të cilët nuk ua prishin shefave të tyre. Politikanët shqiptarë dalin në fotografi me shefat e tyre, i lajnë mëkatet.

Gjyqësia të jep dënimin pse me emër e mbiemër quhesh shqiptarë.

Trishtim apo jo !

Shqiptarët e MV i kanë sytë kah Shqipëria e Kosova. Pse të mos investohet në fushën e kulturës.

I pyetur për “Minishengenin ballkanik”, Sela u shpreh:

Serbia nuk kufizohet me Shqipërinë, por me Kosovën. Mos po e forcojmë ekonomikisht Serbinë armike.

Ata (Serbia) deshën të na zhdukin me gjen e gjak.

Së paku duhet të kërkojnë falje publike për të zezat që i bënë në Kosovë, tërhoqi vërejtjen politikani Zijadin Sela.