08:09 / E Shtunë, 28 Prill 2018 / indeksADMonline

Shqiptari kapet me automjetin plot me drogë

Policia greke ka finalizuar një operacion antidrogë në kuadër të të cilit janë sekuestruar 248 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë.

Gjatë operacionit policia ka arrestuar dy shtetas shqiptarë dhe një grek, të implikuar në rrjetin e trafikut.

Sipas informacioneve, policia greke ka ndjekur dy automjete që vinin nga kufiri i gjelbër. Pas disa kilometrash i ka ndaluar. Në njërën prej tyre, e cila drejtohej nga një 27-vjeçar shqiptar janë gjetur 248 kilogramë marijuanë.

Ky i fundit, ishte arratisur nga burgu i Trikalas në 15 Shkurt të vitit 2013, pasi ishte larguar me leje por nuk ishte kthyer më. Atij iu gjet me vete edhe një kartë identiteti e falsifikuar, me emër tjetër.

Ndërkohë, policia ka prangosur edhe dy persona të tjerë, një grek dhe një shqiptar. Emrat e të ndaluarve nuk janë zbuluar për arsye hetimore.