16:46 / E Martë, 06 Tetor 2020 / indeksADMonline

Shqiptarja gjykohet për vrasjen e 7-vjeçares Emily Jones në Britani

Ka dalë sërish para gjykatës, Eltiona Skana, 30-vjeçarja shqiptare që në muajin mars tronditi me vrasjen pa shkak të një 7-vjeçareje para prindërve të saj.

Në Angli ka rinisur gjykimi ndaj një shtetaseje shqiptare të akuzuar për vrasjen e një vajze të vogël para prindërve të saj.

Eltiona Skana, 30 vjeç, akuzohet për masakrimin me thikë të 7-vjeçares Emili Xhons.

Ngjarja që tronditi komunitetin e Mançesterit në verilindje të Anglisë, ndodhi të dielën e 22 marsit të këtij viti kur vajza kishte dalë të luante në park me prindërit.

Ndërsa vetë rrinte ulur në stol, Skana u ngrit papritur dhe e goditi 7-vjeçaren me thikë në qafë teksa ajo i kaloi afër me një skuter për fëmijë.

Vajza e vetme u transportua në spitalin më të afërt por rreth 1 orë më vonë nuk i mbijetoi dot plagëve.

Shqiptarja nga muaji maj është izoluar në bazë të ligjit për personat me çrregullime mendore.

Tani ajo përballet përveç akuzës për vrasje, edhe për zotërimin e një arme të ftohtë në publik.

30-vjeçarja, Eltiona Skana, u paraqit të hënën para trupit gjykues me lidhje filmike nga larg, ndërsa avokati i saj, Simon Coka, kërkoi që të mos i drejtohej gjykatës për statusin fajtore apo jo.

Në seancë ishte i pranishëm edhe babai i viktimës, ndërsa çështja është planifikuar të shqyrtohet sërish më 6 nëntor.