14:38 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

Shtatë të arrestuarve iu caktohet masa e paraburgimit prej 48 orësh

Shtatë të arrestuarve për fajde i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, bënë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, shtatë personat janë arrestuar pas bastisjes në disa lokacione të Prishtinës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot, ka ndaluar  personat me inicialet I.O., I.B., A.Th., M.M., Rr.H., E.L., dhe Z.J.,  me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajdeja”, nga neni 343 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 340 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjatë aplikimit të masave teknike të vëzhgimit dhe hetimit, sipas urdhëresës së Gjykatës, më 20.05.2019, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksionin e bastisjes në disa lokacione të Prishtinës, me ç’ rast ka arrestuar të dyshuarit e lartcekur. Me urdhër të prokurorit të çështjes, të njëjtit janë ndaluar për 48 orë, ndaj të cilëve pritet që në afatin ligjor të ushtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Indeksonline gjatë ditës ka raportuar për arrestimin e shtatë personave.

Në mesin e tyre, siç ka raportuar Indeksonline janë Ismet Osmani, i njohur me nofkën Curri, Ilir Bojku, Mentor Maqani e Rrahim Hashimi.

Sipas burimeve të Indeksonline ky grup ka tentuar t’a marr në mënyrë të kundërligjshme për fajde shtëpinë e Faton Dalladakut që ndodhet në “Pejton” dhe disa prona të tjera.

E gjithë vlera për të cilën po hetohen të arrestuarit është mbi 2.5 milionë euro. /Indeksonline/