22:55 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

Shteti në aksion, zbrazë lokalet që s’respektuan masat anti-Covid

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kanë nisur një aksion në të gjithë Prishtinën për të parë nga afër nëse po respektohen masat anti-Covid, shkruan IndeksOnline.

Inspektorët kanë shqiptuar masa ndëshkimore dhe kanë zbrazur lokalet që kishin shkelur rregullat. Lajmin për këtë aksion e ka konfirmuar për IndeksOnline, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

“Jemi në terren bashkë me Policinë e Kosovës në gjithë regjionin e Prishtinës për të parë zbatimin e masave anti-COVID kur kanë hasur organizime që janë në kundërshtim me ligjin dhe masat e marra nga Qeveria”.

Edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka konfirmuar se disa ekipe të policisë bashkë me inspektorët kanë kryer aktivitete në kafenetë te Rruga B në kryeqytet.

“Në atë lokacion ka njësi policore që janë duke kryer aktivitetet në zbatim, respektim të masave ndaj pandemisë. Aktivitetet janë duke u zhvilluar së bashku me inspektorët kompetentë”, tha ai.