10:45 / E Premte, 15 Qershor 2018

Shtrenjtohen produktet edhe për Bajram

Çmimet e produkteve elementare në Kosovë sa shkojnë e ngritën. Madje kjo ndodh edhe më shumë në prag festash. Të papërballueshme këto çmime i vlerësojnë edhe qytetarët e edhe ekspertët. Nga Agjencia e Statistikave tregojnë cilat çmime u ngritën dhe tek cilat produkte.

Në prag të festës së Fitër Bajramit qytetarët po ankohen për ngritje çmimesh.

Konsumatorët flasin për KosovaPress duke thënë se këto çmime i kanë të papërballueshme.

“Me u ul çmimet ushqimore, sepse janë produkte të përditshme që nevojiten”, thotë Nazlije Gaxha.

“Jam konsumatorë e rregullt e tregut ditor, ne si konsumator është normale që kërkojmë cilësinë dhe freskinë e produkteve, gjë që e kam gjetur këtu në tregun ditor… (6’48)Unë si konsumator vështirësi e shoh në tregun kosovar shportën familjare që është shumë e lartë në krahasim me standardin tonë…(07;20)mirëpo, tatimet për bizneset kosovare janë shumë të larta dhe ndikojnë në shportën familjare”, deklaron Dorontinë Ahmeti.

Ngritje e çmimit është evidentuar tek buka, mishi, kafeja, rryma, perimet dhe derivatet.

Këtë e thotë zyrtari për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Raif Gashi.

“Gjatë kësaj periudhe ka pasur ngritje të çmimit te buka dhe drithërat me 1.9 për qind, mishi me 0.9 për qind, perimet me 5.9 për qind, duhani me 3.1 për qind, rryma, gazi dhe lëndë djegëse me 8.4 për qind… ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës 4.7 për qind krahasuar me majin 2017”, ka thënë Gashi.

Njohësi i çështjeve ekonomike Jakup Bellaqa thotë se çmimet e produkteve elementare janë të papërballueshme për kosovarët.

Ai shpjegon raportin gjerman, ku Kosovën e rendit të gjashtën në listën e çmimeve, ndërsa Zvicrën në vendin e parë.

“Shporta prej artikujve elementar bazë ende është e lartë, për shkak se buxheti i një familjes që përkon me familjet kosovare është më i varfër dhe të hyrat mujore janë më të ulëta se sa kosto e jetës. Sidomos produktet elementare, duke përfshirë qumështin, vajin, yndyrat, vezët, djathi si dhe artikujt bazik të tjerë janë ende më të larta se sa në rajon, por në disa raste edhe më të larta se në vendet e perëndimit. Këto janë të pa përballueshme, sepse ekonomia jonë edhe ekonomi importuese dhe nuk është prodhuese. Gjithçka importohet, edhe artikujt bazë importohen nga jashtë. Vetëm në sezon të caktuar disa artikuj mund të prodhohen në vendin tonë, Kosovë. Kështu që kur të importohet aty edhe shpenzimet varëse, transportet, doganat, TVSh aplikohen në kufi, kështu që edhe pikat e shitjes caktojnë një çmim, që e kanë atë diferencën e çmimit që duhet me fituar ato dhe ngritën për atë arsye”, thotë Bellaqa.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se shporta familjare me produkte të konsumit ka shënuar ngritje.

Po ashtu, ai ka veçuar, se tregtarët përveç çmimeve, manipulojnë me cilësinë, sasinë dhe afatin e produkteve.

“Ka lëvizje të çmimeve, lëvizjet më të mëdha nga ato që ne i shohim, çmimet rriten duke ulur peshën, çmimet ngritën duke ulur cilësinë, çmimet ngritën duke manipuluar skadencën, duke i manipuluar përbërësit… Shumica e çmimeve, në veçanti artikujve ushqimor në Kosovë janë më të shtrenjta se në Evropë. Dhe nëse kemi parasysh se cilësia nuk është adekuate, as sasia, as përbërësit, edhe këtu na del se çmimi është dyfish më i lartë se në Evropë, dhe këtë nuk po e kontrollon e as mbikëqyrë askush”, ka thënë Kaçaniku.