08:07 / E Enjte, 28 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Shtyhet gjykimi për vrasjen e policit

Me kërkesën e avokatit të të akuzuarit Kujtim Bejiqi, Bashkim Nevzati, është shtyrë gjykimi i cili po zhvillohet ndaj të akuzuarve për vrasjen e rreshterit policor, Shemsi Gashi, në mars të vitit 2015.

Pasi avokati paraprakisht ka bërë kërkesën për shtyrjen e seancës, kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu- Selimaj bëri të ditur se ka revokuar urdhëresën për sjelljen e të akuzuarve në gjykatë.

Aktgjykimi në këtë rast pritej të shpallej afër tre javë më parë, por që trupi gjykues ka parë të arsyeshme që të bëjë rihapjen e shqyrtimit gjyqësor me qëllim të sqarimit të disa rrethanave.

Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në Lagjen “Mati” të Prishtinës rrugës për në zyrën e tij, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon tetë persona, një pjesë e madhe e të cilëve janë të afërm të tij.

Hetimet e Prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.

Motivi i ngjarjes sipas Prokurorisë ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit.

Bëhet fjalë për një parcelë pronësore prej 40 ari në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, të cilën e kishin trashëguar bashkërisht nga paraardhësit e tyre.

Po ashtu aktakuza Ramadan Gashin, Mujë Gashin, Robert Gashin, Vesel Bunjakun dhe Vesel Gjinovcin i ngarkon edhe për armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Temat: