11:00 / E Diele, 30 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kryeministri Haradinaj përkulet para policit shqiptar që shërben në Amerikë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka qëndruar thuajse një javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj mori pjesë në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa gjatë kësaj kohe ka zhvilluar edhe takime të ndryshme.

Por një takim të rastësishëm ai ka pasur edhe me një polic shqiptar që shërben në New York. Këtë moment i pari i ekzekutivit e ka ndarë edhe përmes një fotografie në llogarinë e tij sociale në Instagram, ku shihet duke përshëndetur shqiptarin veshur në uniformën amerikane, shkruan Indeksonline.


“Amerika është shtëpi e dytë për shumë shqiptarë. Një përshendetje e ngrohtë me Altin Çeloaliaj nga Vlora, i cili ofron siguri për të gjithë në rrugët e New Yorkut, të cilit i urova fat dhe punë të mbarë në detyrën e policit”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe kryeministri i Kosovës pritet të kthehet sot, ndërsa në orën 12:00 do të mbajë një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”./Indeksonline/