09:50 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

Shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi i ministrit

Gjykimi i ministrit Valdrin Lluka u shty për kohë të pacaktuar, ngase mungoi e akuzuara tjetër e këtij procesi Eliana Naka.

Për shkak të mungesës së të akuzuarës Eliana Naka, u shty për kohë të pacaktuar seanca ndaj saj dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik Vladrin Lluka.

Lluka e Naka akuzohen për konflikt interesi.

Shtyrjen e gjykimit deri në muajin mars e kërkoi Teuta Zhinipotoku, avokatja e Nakës, duke e arsyetuar kërkesën për shtyrje me gjendjen jo të mirë shëndetësore të të mbrojturës së saj.

Pas kësaj kërkese gjyqtari Hamdi Ibrahimi kërkoi mendimin e palëve nëse duhet të shtyhet seanca, apo të veçohet procedura ndaj Nakës.

Prokurorja e shtetit Habibe Salihu propozoi që të shtyhet shqyrtimi gjyqësor pas muajit mars kur pritet që e akuzuara të jetë në gjendje ta përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Habibe Salihu tha se shtyrja për disa muaj nuk ndikon në efikasitetin e trajtimit të rastit.

Artan Qerkini, avokat i Valdrin Llukës tha se Nakës i duhen edhe tre- katër muaj për rikuperim pas muajit mars që ajo ta marrë veten.

Qerkini konstatoi se kërkesa për veçim të procedurës nuk e dëmton procesin, raporton Kallxo.com.

“Provat mund të lexohen më dy raste të ndara pa e dëmtuar aspak procedurën. Aq më pak kur i mbrojturi im është ministër dhe dëshiron që sa më parë t’i jap epilog këtij rasti”, tha Qerkini.

Por gjykata megjithatë vendosi që gjykimi të shtyhet.

Lluka e Naka u deklaruan të pafajshëm në seancën e 18 dhjetorit 2017.

Sipas aktakuzës, tani ministri Lluka në cilësinë e zyrtarit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 23 maj 2014 ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ashtu që ka kërkuar që të fillojnë procedurat për zotimin e mjeteve prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakova Innovation Center”, në të cilën OJQ, ka qenë themeluesi dhe njëkohësisht ka pasur edhe pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve.

Për konflikt të interesit në këtë rast akuzohet edhe Eliana Naka e cila sipas aktakuzës, si sekretare e përgjithshme e MTI-së më 2 qershor 2014 duke vepruar në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim që mjetet financiare në vlerë të përgjithshme prej 20 mijë eurove të ndahen në mbështetje të OJQ-së në të cilën ka qenë drejtoreshë e bordit.