14:47 / E Premte, 27 Korrik 2018 / indeksADMonline

“Shuarja” e Adem Demaçit, skenarët për ndarjen e Kosovës dhe një mesazh nga ministri Ditmir Bushati

Ndarja nga jeta e Adem Demaçit u përcoll me mesazhe ngushëllimi, statuse ngushëlluese në rrjetet sociale dhe komente të ndryshme nga Prishtina dhe Tirana zyrtare.

Pa diskutim që vlerësimet më të mëdha Demaçi i ka marrë gjatë jetës së tij, kur u nderua me çmimin Sakharov, (Çmimi i Bashkimit Europian për të drejtat e njeriut dhe lirinë e mendimit), apo vlerësimi dhe mendimi i qytetarëve të të dy vendeve.

Ndër mesazhet e shumta të publikuara për ndarjen eë tij nga jeta bie në sy mesazhi i Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili zgjodhi një nga thëniet e vetë Demaçit për të vlerësuar figurën e tij.

“Me rëndësi është se lufta jonë është e drejtë. Në luftën tonë të drejtë nuk shpenzojmë energji për asnjë ideologji, përpos për Shqipërinë”, citon ministri Bushati mesazhin e vetë Demaçit. Një mesazh që më së shumti duhet të dëgjohet nga klasa politike e Kosovës, veçanërisht gjatë këtyre ditëve të vështira, kur debatet dhe reagimet janë të shumta, sidomos përsa i përket dialogut Prishtinë-Beograd dhe asaj çka pritet të prodhojë ai. Duket sikur vdekja e Demaçit erdhi në një moment të vështirë për Kosovën, pasi gjithnjë e më shumë po flitet për një skenar ogurzi si ‘ndarje”, apo shkëmbim territoresh me Serbinë.

Skenar për të cilin Adem Demaçi dhe bashkëluftëtarët e tij vuajtën vite të tëra në burgjet e ish-Jugosllavisë. Gjatë këtyre ditëve në mediat shqiptare të Kosovës, analisti Agustin Palokaj fliste për mundësinë e “krijimit e të një “Republika Sërpskas” në Kosovë, apo formalizim i ndarjes së Kosovës, qoftë në mënyrë territoriale apo edhe institucionale”.

Nëse këto skenare kanë diçka të vërtetë brenda tyre, atëherë ky mesazh merr një vlerë të veçantë në kontekstin kur flitet për bashkimin kombëtar. Mesazhet e Demaçit, qoftë dhe me ndarjen e tij nga jeta e jetuar në mënyrë dinjitoze, kanë një vlerë përbashkuese për të gjithë shqiptarët, për të qënë në lartësinë që kërkon vetë kombi dhe çështja kombëtare, bazuar në aspiratën e gjithë shqiptarëve për integrimin në BE.