13:38 / E Martë, 07 Qershor 2022 / AR

Si do t’i ndryshojmë apo bëjmë ‘unsend’ mesazhet me iOS 16?

Mesazhet janë lloji më i përdorshëm i komunikimit në një botë të mbushur me iPhone, prandaj është shumë e rëndësishme të dini gjithçka rreth tyre. E dini mirë në ç’situatë të sikletshme mund të futeni nëse bëni ndonjë gafë të tipit: mesazhin e duhur njeriut të gabuar, apo kur nxirrni gjithë inatin dhe pastaj pendoheni brenda 5 sekondash. 

Në 6 qershor, kompania gjigante prezantoi ndryshimet e reja që lidhen me iMessages. Kur telefoni juaj të përditësohet me iOS 16, që del këtë vjeshtë, ju do të mund të editoni apo të bëni unsend mesazhe të cilat i keni dërguar, por diçka ju ktheu mendjen dhe tani s’doni më. 

Do të ekzistojë gjithashtu një opsion dhuratë për ata që kur marrin një mesazh, kthejnë telefonin përmbys dhe harrojnë të përgjigjen për 6 ose 8 javë në vijim. Një shënim automatik do t’i rikujtojë të përgjigjen! 

Si mund t’i editoni mesazhet? 

Gjithçka duhet të bëni është të mbani shtypur mesazhin e dërguar, njësoj siç bëni kur doni të dërgoni një emoji. Aty do t’ju shfaqen opsionet e reja, për të ndryshuar diçka tek mesazhi apo për të mos e dërguar fare. 

Si do t'i ndryshojmë apo bëjmë 'unsend' mesazhet

Nëse zgjidhni opsionin e dytë, me siguri po mendoni nëse personi tjetër e kupton që mori një mesazh dhe u fshi papritur?!

Personi e kupton që teksti është ndryshuar apo se është bërë unsend, por nga ana tjetër duhet të dini që keni vetëm 15 minuta kohë pas dërgimit të mesazhit fillestar, për të bërë ndryshimet e nevojshme. Kështu, shpëtoni të gjithë dhe askush nuk sheh çfarë kishit shkruar më herët.