14:03 / E Mërkurë, 10 Gusht 2022 / LB

Si i komenton Sami Lushtaku deklaratat e Kurtit për rrezikun që vjen nga Serbia

“Rreziku që të shpërthejë një konflikt i ri midis Kosovës dhe Serbisë është i lartë”, kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka nxitur reagime të mëdha në opinionin publik.

Liderë të partive opozitare, dhe jo vetëm kanë kritikuar shefin e ekzekutivit për këtë qasje.

Por, si e vlerëson këtë deklaratë, Sami Lushtaku njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I kontaktuar nga Indeksonline, Lushtaku ka thënë se Kurti këtë deklarim e bën për të larguar vëmendjen, sipas tij, nga dështimi i tij në qeverisje. Nënkryetari aktual i Skenderajt, thotë se Albin Kurti nuk duhet të flas për rrezikun, por të përgatitet për rrezikun.

“Rreziku nga Serbia është i vazhdueshëm, por Kurti e përdor kur t’i duhet. Me largu vëmendjen nga dështimi i tij në aspektin ekonomik, politik e diplomatik. Albini nuk duhet me fol për rrezikun, por duhet me u përgatite për rrezikun. Ne ia kemi tërheq vërejtjen edhe më herët, ai duhet ti mendoj të gjitha variantet e mundshme, sepse e kam thanë edhe më herët, rreziku nga Serbia është i vazhdueshëm”, ka thënë Lushtaku.

Më tutje, ai ka thënë se që nga ardhja e liderit të VV-së në krye të Qeverisë nuk ka ardhur asnjë njohje e re për Kosovën.

“Zhvillimi ekonomik është për keqardhje. Gjithçka është bllokuar deri më tani. Nuk ka asnjë lëvizje pozitive në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor. Nuk e di çka është punohet në Kosovë”, ka theksuar Lushtaku.

Edhe njohësit e çështjeve ekonomike kanë thënë se deklaratat e Kurtit mund t’i trembë investitorët potencial të huaj të cilët planifikojnë të investojnë në Kosovë. /Indeksonline/