13:20 / E Diele, 20 Shtator 2020

Si ndryshon zemra tek gratë pas të pesëdhjetave?

Të pesëdhjetat janë një sfidë e madhe për një grua.

Në këtë moshë, gruaja kalon në menopauzë, por ky nuk është ndryshimi i vetëm që përjeton ajo në këtë moshë.

Sipas ekspertëve, pas kësaj moshe, gruaja është ndjeshëm më e rrezikuar nga problemet me zemrën.

Kardiologët kanë shpjeguar shumë qartë çfarë ndodh me zemrën e një gruaje pas të pesëdhjetave.

Rreziku i Problemeve me Zemrën Rritet

Më shumë se gjysma e grave në botë nuk e kanë të qartë se sëmundjet e zemrës janë rreziku më i madh për shëndetin e tyre.

Pjesa më e madhe i druhen kancerit të gjirit por jo zemrës.

Në fakt të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i grave shqiptare që vdesin nga sëmundjet e zemrës është më i lartë se ai i burrave siç mund ta shikoni edhe në këtë grafikë.

Këto të dhëna tregojnë se qytetet e Tiranës, Fierit, Shkodrës, Korçës dhe Elbasanit kanë nivelet më të larta të vdekshmërisë së grave nga sëmundjet e zemrës.

Zemra Bëhet Më E Ngurtë

Pas të pesëdhjetave, muskujt e zemrës nisin të bëhen më të ngurtë dhe kësisoj vështirësojnë pompimin e gjakut dhe qarkullimin e tij.

Ky problem përkeqësohet më shumë tek gratë për shkak të ndryshimeve hormonale.

Nivelet e ulëta të estrogjenit ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e zemrës, sidomos në moshën nga 50 deri në 54 vjeç.

Çrregullimi i Rrahjeve të Zemrës

Pas të pesëdhjetave, rreziku i çrregullimit të rrahjeve të zemrës, ose siç njihet ndryshe aritmia, rritet ndjeshëm.

Për pasojë, ekspertët këshillojnë që gratë që kanë probleme të tilla të jenë të vëmendshme e të këshillohen shpesh me mjekun.

Grave u Thyhet Zemra

Në këtë moshë, lajmet e këqija janë më të shpeshta dhe stresi më i lartë. Për pasojë, gratë përballen me atë që njihet ndryshe si ‘zemra e thyer.’

Nuk kemi të bëjmë me një term figurativ.

Ajo që ndodh është se hormonet e stresit ndërpresin rrahjet e zemrës në një zonë të veçantë të muskulit të saj.

Sindroma e zemrës së thyer përgjithësisht nuk është fatale, megjithatë, shoqërohet me dhimbje në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje.

Këto simptoma janë të ngjashme me ato të një ataku në zemër.

Më shumë se 90% e rasteve të sindromës së zemrës së thyer regjistrohen në grupmoshat nga 58 në 70 vjeç.

Mbipesha Dhe Zemra

Metabolizmi ngadalësohet me kalimin e moshës.

Rreziku për mbipeshë është tepër i lartë, duke u kthyer në faktor rreziku për sëmundjet e zemrës.

Gratë shëndoshen më lehtë për faj të mungesës së estrogjenit, duke u bërë kështu më të ndjeshme ndaj problemeve të zemrës.

Për më tepër, mungesa e estrogjenit, shoqërohet me rritjen e nivelit të kolesterolit të keq.

Ky i fundit është një tjetër faktor rreziku për sëmundjet e zemrës.

Pas të pesëdhjetave, gratë vuajnë më shumë nga ngurtësimi i enëve të gjakut, tensioni i lartë i gjakut, ngushtimi i enëve të gjakut por edhe diabeti.

Pas kësaj moshe, struktura e gjumit ndryshon tek gratë dhe ato flenë më pak.

Problemi qëndron se gjumi është shumë i rëndësishëm për shëndetin e zemrës dhe vështirësojnë punën e saj./agroweb