15:32 / E Martë, 19 Maj 2020 / indeksADMonline

Si po ecë puna e lokaleve me “Take away” në Prishtinë, flasin pronarët

Ka dy ditë që ka filluar faza e dytë e lehtësimit të masave në Kosovë, pas pandemisë Covid-19

Në këtë hapje graduale,  ka përfituar edhe gastronomia. Që nga dje me 18 maj, baret e restorantet qysh nga dje kanë filluar të shërbejnë me take away( merre me vete), raporton IndeksOnline.

Në qendër të Prishtinës, tashmë ka filluar puna intensive e  pronarëve të lokaleve për të rinovuar ato.

Në hyrje të çdo lokali janë të vendosura rregullat se si mund të shërbehen me kafe apo dhe ushqim.

Nuk mungojnë as dezinfektuesit në hyrje të tyre.

Distanca kërkohet të respektohet ashtu si janë të vendosura rregullat nga institucionet shëndetësore në vend.

Ndërsa pronarët e lokaleve ndonëse ankohen se ankohen se janë dëmtuar shumë në këtë kohë të pandemisë, gjallëria sado pak vërehet në këto bare.

Kujtim Gacaferri, pronar i lokalit “Kafja e Vogël”, tregon për IndeksOnline, se ndonëse fillimisht situata nuk është keq, për të është e pakuptimit që të mos bëhet hapja e plotë për këtë kategori.

“Është e pakuptimit kur njerëzit në të gjitha shërbimet e tjera po hyjnë lirisht, vetëm neve nuk po na lejohet me i qit terasat në qendër të qytetit. Ne po e kemi problem se vazhdimisht kemi inspektor dhe policinë duke na kontrolluar, derisa në periferi punohet. Jemi te dëmtuara kemi shpenzimet më të larta. Kemi dezinfektu krejt me këto rregulla nuk mbulohen shpenzime. Vetëm kafe po marrin e dihet se kafja është më e lira”, tha Gacaferri për IndeksOnline.

E te “Che bar”, ndryshon situata. Këtu kanë filluar të merren porosi edhe për ushqim.

Pronari i këtij lokali Labinot Ademi ka treguar për IndeksOnline se ndonëse  puna aktualisht nuk është keq,  ka thënë se tek ne ende nuk është krijuar kultura e të shërbyerit me take away, por se po shpreson te rregullohet situata sa më parë.