15:09 / E Hënë, 15 Mars 2021 / AR

Si t’u ‘shpëtojmë’ mesazheve të rreme në WhatsApp?

Mesazhet e rreme janë një problem i vazhdueshëm që shqetësojnë përdoruesit e programit WhatsApp.

Rasti i fundit, ishte një mesazh, që iu dërgua qindra qytetarëve ku shkruhej: “Të gjithë ata që anë fëmijë deri në 10 vjeç, të vijnë të marin 5.000 lekë, në bankë, duke paraqitur certifikatë personale ose familjare, me vulë”. Pas këtij mesazhi, shumë njerëz u dyndën drejt filialeve të kësaj banke të nivelit të dytë, duke shkaktuar kaos dhe rrezik për transmetimin e Covidit-19, shkruan Top Channel.

Por, si ta kuptojmë që një mesazh që na vjen në celular, është i vërtetë. Eksperti i kibernetikës, Elton Kërluku shpjegon në “Shqipëria live”: “Mjafton që një mesazh që mendoni se është i dyshimtë ta kopjoni e ta kërkoni në Google. Duhet të dini se kur një mesazh vjen nga një kompani, zakonisht ka “tick” blu, pra që do të thotë është e konfirmuar nga WhatsAppi”.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa ka dy arsye pse shpërndahet këto mesazhe dhe a mund të zbulohet burimi i tyre. “Lidhet me fushatën apo sulmet kibernetike, ku njerëz të ndryshëm duan të shfrytëzojnë. Policia e shtetit ka një sektor të krimit kiberentik, nëse jo përbën vepër penale, rrezikon jetën apo të dhënat personale të qytetarëve duhet hetuar. Mund të jetë një formë mashtrimi, ka njerëz që duan të bëjnë abuzime dhe duhet pasur kujdes”.