14:10 / E Premte, 28 Shtator 2018 / indeksADMonline

Si u arrestua dhe mbi çfarë baze mbahet deputeti Demaliaj në paraburgim?

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj është arrestuar dje nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë. Arrestimi i deputetit u bë ndonëse nuk kishte asnjë ankues ndaj deklaratave të tij dhënë në një media kosovare kundër prokurorit Elez Blakaj që kishte hetuar veteranët mashtrues të UÇK-së.

Madje është vet babai i prokurorit Blakaj, Beqiri i cili kishte komentuar deklaratat kundër djalit të tij rreth hetimit të listave, duke u shprehur publikisht se nuk ndihet i kërcënuar nga askush.

Deputetët e Grupit Parlamentar të AAK-së sot përmes një deklarate për media kanë kërkuar menjëherë lirimin e deputetit Demaliaj pasi sipas tyre ai nuk e ka kërcënuar askënd.

Madje AAK druan se arrestimi i deputetit Demaliaj mund të jetë i kalkuluar për motive politike dhe me qëllim të bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës.

Demaliaj sot pritet të dal para Gjykatës ku do të merret vendimi për të, paraburgim prej 30 ditësh apo lirim në procedurë të rregullt.

Avokati i tij, Arianit Koci ka thënë se klienti i tij nuk ka kryer asnjë vepër penale.

“Klienti i im, nuk e ka kanosur askënd. Ai është deklaruar për ish Prokurorin Blakaj, pasi që i njëjti ka dhënë dorëheqje nga posti i prokurorit, dhe ka vazhduar t’a sulmoj dhe diskreditoj prokurorinë, dhe veteranet e vërtete”, ka thënë Koci./Indekonline/