15:43 / E Martë, 20 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Deputeti i AAK-së tregon si kaloi në burg, në Komision plasin të qeshurat

Teksa ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, po raportonin para Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete ka plasur e qeshura me deputetin e AAK-së Shkumbin Demaliaj.

Ai duke folur për gjendjen në burgjet e Kosovës, ka thënë se po deklarohet në bazë të përvojave të tij personale që kishte pasur në burg, duke përmendur edhe deputetët e VV-së që kanë pasur një fat të tillë të qëndrojnë në paraburgim.

Teksa ka folur për ushqimin në burgje si dhe për gjendjen e tyre, Demaliaj ka thënë se gjendja në burgjet në Kosovë është e mirë.

“Lidhur me ushqimin kam pasur rastin të jem për 9 ditë në burg, unë dhe këta të VV-së (fillon e qeshura dhe nuk kuptohet)… varet prej veprave. Është hera e parë që kam qenë në burg për një deklaratë televizive e dinë opinioni më kanë ofendua jam ndjerë i ofenduar emocionalisht edhe kam reaguar, nëse ka vendosur drejtësia dhe kanë ekzistuar ligjet askush nuk më ka paditur mirëpo sistemi më ka marrë e ka vendos kështu”, ka thënë ai.

Më tej ka thënë se gjendja e të paraburgosurve në aspektin e riedukimit është në gjendje të keqe për shkak se thotë të paraburgosurit për vepra më të rënda, takohet me persona të rinj.

“Në aspektin tjetër desha të flas trajtimi ka qenë profesional, shërbimi korrektues kanë qenë të gjithë në rregull. Si i paraburgosur po flas në burgun e Gjilanit janë shumë në rregull, por të paraburgosurit janë në gjendje shumë të keqe në gjendjen të ri edukimit për shkak se ka të paraburgosur që gjykata mas 9 apo 10 viteve të mbajtjeve të dënimeve i ka kthyer në rigjykim që mund të jenë të dënuar që tash janë në rigjykim që kanë kryer vepra shumë të rënda penale, ndërsa sot në ato takime apo në pushime qëndrojnë bashkë me disa të burgosur që janë për herë të parë apo që i takojnë moshës 18-vjecare”, ka thënë ai.