14:51 / E Mërkurë, 03 Mars 2021 / OSH

Sindikata e Doganës kërcënon Qeverinë: I duam shtesat në të kundërtën marrim veprime sindikale

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës, ka thënë se punonjësit e saj vazhdojnë  të mbeten të anashkaluar nga Qeveria me gjithë angazhimin dhe përkushtimin e tyre (24 orë 7 ditë në javë)  ata nuk janë paguar me pagat shtesë, ashtu siç u ishte thënë e premtuar nga Qeveria, transmeton IndeksOnline.

“Ndaj, duke marrë parasysh specifikat e punës dhe rrezikun potencial për infektimi me Covid-19, ju bëjmë me dije se në vendimet e Qeverisë në detyrë, punëtoret e Doganës kanë qenë të diskriminuar dhe të përjashtuar nga pagesa shtesë për punë në kushte pandemie, edhe pse në vendimin e fillimvitit të kaluar zyrtarët doganorë kanë qenë të përfshirë dhe jo të diskriminuar në raport me institucionet e tjera të sigurisë dhe të cilat janë kategorizuar si institucione të ekspozuara drejtpërdrejt nga infektimi me Covid-19”, thekson komunikata.

Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk merren për bazë ankesat e tyre, do të ndërmarrin veprime sindikale.

Njoftimi i plotë:

·         Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës, njofton mediat e shkruara dhe elektronike, se punonjësit e Doganës së Kosovës vazhdojnë të mbeten të anashkaluar nga Qeveria me gjithë angazhimin dhe përkushtimin e tyre (24 orë 7 ditë në javë) që të arrihen objektivat e institucionit sa i përket mbledhjes së të hyra për buxhetin e shtetit, duke garantuar cilësi dhe siguri të mallrave të importuara dhe eksportuara, duke luftuar aktivitetet ilegale, krimin kufitar, trafikun e drogës, duke mbrojtur popullatën dhe ambientin, duke kontribuar për parandalimin e kontrabandimit të armëve dhe substancave të tjera të ndaluara, duke siguruar kufijtë etj.  

Ndaj, duke marrë parasysh specifikat e punës dhe rrezikun potencial për infektimi me Covid-19, ju bëjmë me dije se në vendimet e Qeverisë në detyrë, punëtorët e Doganës kanë qenë të diskriminuar dhe të përjashtuar nga pagesa shtesë për punë në kushte pandemie, edhe pse në vendimin e fillimvitit të kaluar zyrtarët doganorë kanë qenë të përfshirë dhe jo të diskriminuar në raport me institucionet e tjera të sigurisë dhe të cilat janë kategorizuar si institucione të ekspozuara drejtpërdrejt nga infektimi me Covidin-19.

SPDK-ja dhe stafi i Doganës së Kosovës janë plotësisht të vetëdijshëm se puna, përveç në kushte normale është obligim njerëzor dhe ligjor që edhe në kushte të jashtëzakonshme të punohet dhe në rrethana të rënduara siç është situata me pandeminë në nivel botëror.

Me gjithë rrezikun, punën pa sigurim shëndetësor dhe jetësor, oficerët doganorë po punojnë në kushte të jashtëzakonshme vetëm e vetëm që t’u shërbejnë qytetarëve të Republikës se Kosovës.

Sa për njoftim, Dogana e Kosovës ka kaluar nëpër një situatë mjaft të rënduar dhe pikëlluese, ku si rezultat i infektimit me Covidin-19 kanë humbur jetën dy kolegë dhe mbi 70 % e stafit ka qenë i infektuar apo ka kaluar nëpër fazën e vetizolimit.

Andaj SPDK-ja konsideron se Qeveria në detyrë po e anashkalon dhe po e diskriminon jo zyrtarin doganor, i cili është përgjegjës për grumbullimin e të hyrave për buxhetin e shtetit, por po e diskriminon dhe e neglizhon punën dhe rrezikun që zyrtarët doganorë përballën në baza ditore.

Për ju media të nderuara edhe pse është e ditur puna e zyrtarëve doganorë, por për hir të njoftimit të opinionit të gjerë, oficerët doganorë përveç kontakteve fizike me palët ata janë të obliguar që të kontrollojnë dhe ekzaminojnë mallra, të cilat vijnë nga vendet me rrezik dhe të cilat potencialisht kanë qenë më të prekura me Covidin-19.

Andaj mbi bazën e kësaj SPDK-ja (Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës), kërkon nga Ministria e Financave që të ndalojë diskriminimin ndaj punonjësve të Doganës së Kosovës dhe në vendimet e ardhshme të kthej punonjësit e Doganës ashtu siç ka qenë e paraparë në vendimin e fillimvitit të kaluar, në të kundërtën Sindikatës së Doganës po u imponohet ndërmarrja e veprimeve të tjera sindikale.

Me respekt,