12:21 / E Diele, 03 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

S’ka barazi pa integrimin e personave me aftësi të kufizuara

Institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë në zbatimin e ligjit për personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që edhe kjo kategori e shoqërisë të gjejë integrim të plotë.

Kështu është thënë sot paradite në një tryezë të rrumbullakët, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuar, ku është thënë se Kosova pa integrimin e kësaj kategoria nuk mund të thuhet se ka shoqëri gjithëpërfshirëse.

Drejtori i Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Kulturës, Xhevat Bajrami, tha se departamenti i rinisë ka paraparë shumë aktivitete për mbështetjen e grupeve të margjinalizuara në integrimin e personave me aftësi të kufizuar.

“Ne nuk i mbështesim personat me aftësi të kufizuara vetëm më 3 dhjetor, ne gjatë tërë vitin mbështesim aktivitete të tilla. Ministria e Kulturës ka si qëllim vetin që të rrisë jo vetëm kapacitetet për individ por edhe për organizata, në mënyrë që të ndihmohen ndërmarrësit e ri”, tha ai.

Kryetari i Forumit Kosovar të Aftësive të Kufizuara, Bujar Kadriu tha se 3 dhjetori duhet të ketë një vend të veçantë tek institucionet e vendit, ndërsa shtoi se integrimi i personave me aftësi të kufizuara duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës.

“Vet Kosova, institucionet e vendit, kanë obligim të respektojnë mekanizmat ndërkombëtar, MSA-në. Moszbatimi i ligjeve prodhon efekt negativ tek personat me aftësi të kufizuara. Ne kemi ligjet më të avancuara në rajon por në pyetje është zbatimi i tyre. Vet MSA e obligon ristandardizimin e ligjeve. Qeveria e Kosovës duhet ta merr seriozisht këtë, sepse pa integrimin e personave me aftësi të kufizuara nuk ka barazi. Pa një përmirësim të jetës së personave me aftësi të kufizuara nuk mund të themi se Kosova ka shoqëri gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Në këtë tryezë u vlerësua lart edhe roli i mediave në prezantimin e personave me aftësi të kufizuara.

Isa Kurtishaj tha se mediat kanë ndikuar në sensibilizimin e shoqërisë, që kjo kategori të mos shihet ndryshe nga pjesa tjetër e saj.

“Roli i mediave ka qenë imediat në sensibilizimin e shoqërisë që këto kategori të caktuara të mos shihen ndryshe nga pjesa tjetër e shoqërisë. Jam mjaft i kënaqur me këtë që është arritur”, tha ai.

Mungesa e bibliotekës për të verbëritë, emisionet për të shurdhëritë, infrastruktura ligjore për personat me aftësi të kufizuara, janë disa nga temat që përfaqësues të shoqatave të ndryshme ngritën sot me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Personat me aftësi të Kufizuara.