20:00 / E Enjte, 24 Janar 2019 / indeksADMonline

“S’ka më ftesa nga Gjykata Speciale në Viber, priten shumë të tjera në formë të shkruar”

Prokuroria Speciale në Hagë ka nisur tashmë intervistimet e parë për ish-ushtarët dhe ish-komandantët e UÇK-së , në lidhje me pretendimet për përfshirjen e tyre në krime të luftës dhe pasluftës në Kosovë.

Ndër të parët që u intervistuan kanë qenë dy ish-komandantët e UÇK-së për Zonën Operative të Llapit dhe Drenicës, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku.

Avokati i njohur, Tomë Gashi derisa ka komentuar këtë proces thotë se fillimisht ka pasur kritika rreth mënyrës se si janë kontaktuar personat për intervistim.

“Unë kam insistuar që ftesat të mos bëhen më përmes telefonit, viber apo whats-upp, për shkak se kjo nuk është ligjore dhe tashmë prokuroria ka ndërruar strategjinë dhe është duke i dërguar në formë të shkruar ftesat dhe po ashtu me material përcjellës për të cilën të dyshuarit mund të deklarohen”, ka thënë Gashi në një prononcim për Indeksonline.

Sipas Gashit, akuzat e para nuk do të vonohen deria thotë se të njëjtat do të ngritën brenda pak ditësh.

“Sa i përket fillimit të marrjes në pyetje të të dyshuarve dhe një pjese të dëshmitarëve të gjithë ish- pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, faktikisht ne po e përdorim termin Gjykata Speciale por kemi të bëjmë me zyrën e Prokurorit Special në Hagë sepse ende nuk kemi aktakuzat e para të ngritura porse edhe ato nuk do të vonohen shumë, dhe mendojë se brenda disa javësh do të kemi edhe aktakuzat e para, pasi që prokuroria me siguri që ka nxjerrë strategjinë e saj që të dyshuarit i merr në pyetje duke u dhënë mundësinë ligjore që ata të japin sqarimet e tyre për pretendimet e tyre që Prokuroria Speciale në Hagë i ka grumbulluar për vite të tëra”, ka thënë tutje Gashi gjatë bisedës.

Gashi përmend faktin që deri më tani janë dërguar rreth 15 ftesa për ish- ushtarët e UÇK-së.

“Ne nuk mund të themi se pritet një furtunë e ardhshme, por deri më tani janë dërguar rreth 15 ftesa për të dyshuarit dëshmitar të cilën kanë dhënë deklarata në Zyrën e Prokurorit në Hagë dhe një pjesë e tyre pritet të japin deklarata. Por ne duhet ta dijmë që secili që shkon në Hagë si dëshmitarë atyre nuk ju paguhen shpenzimet fare për mbrojtje meqenëse kjo është e paraparë”, vlerëson ai.

Sipas Gashit, të gjithë ata që janë përmendur në raportin e Dick Martit pritet të marrin ftesë nga prokuroria në Hagë për intervistim, sigurisht nëse prokurori gjen fakte. /Indeksonline/