18:02 / E Martë, 18 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Skandali i policisë në Pejë, IPK nis hetimet dhe kërkon vazhdimin e suspendimit të policëve

Hazir Qorraj, 66-vjeç, të dielën pasdite u gjet pa shenja jete brenda një kasolle druri në fshatin Drelaj në Rugovë të Pejës.

Vdekja e Qorrajt ishte konstatuar e dyshimtë dhe menjëherë ishte ftuar që vendit të ngjarjes t’iu përgjigjen edhe njësitet tjera policore.

Dy policë ishin caktuar që ta ruajnë më pas vendin e ngjarjes derisa aty të dilte forenzika dhe mjekësia ligjore.

Por diçka e pazakontë ndodhi pas pak kohe. Dy policët e kishin lënë vendin e ngjarjes. Ata i ftoi dikush për të pirë kafe në një pushimore tjetër afër dhe vetëm pas pak kohe pushimorja e Hazir Qorraj ishte përfshirë nga flaka bashkë me trupin e pajetë të tij.

Ky rast nuk figuronte në raportin 24 orësh për media të cilin e lëshon çdo ditë Policia e Kosovës. Por pas raportimit të Indeksonline, mbrëmë Policia e Rajonit të Pejës ka lëshuar një komunikatë për media ku thuhej se Policia në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operativo-hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rast, përderisa në këtë fazë janë suspenduar dy zyrtarë policor, nën dyshimin për trajtim jo adekuat të vendit të ngjarjes, për të vazhduar me procedurat e metutjeshme.

Sipas policisë, hetimet dhe veprimet e mëtutjeshme policore do të bazohen edhe në të gjeturat e ekspertit të zjarreve lidhur me zjarrin e shkaktuar, dhe sipas hetimeve preliminare të deklaruara nga eksperti i zjarrit dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rryma.

Indeksonline sot ka kontaktuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës ku sipas tyre, të dy pjesëtarët policor do të jenë të suspenduar deri në përfundim të hetimit të rastit.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës janë të njoftuar lidhur me incidentin e datës 16 dhjetor 2018 që ka ndodhur në fshatin Drelaj – Rugovë.
Fillimisht Policia e Kosovës ka suspenduar dy zyrtarë policorë për 48 orë me dyshimin për trajtim jo adekuat të vendit të ngjarjes. Ju njoftojmë se edhe hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rast”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Indeksonline.

Inspektorati Policor i Kosovës i ka përcjellë sot rekomandimin Policisë së Kosovës për vazhdimin e suspendimit të dy zyrtarëve policorë deri në përfundimin e hetimit.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore do të ndërmerren në konsultim me prokurorin e shtetit si dhe nga të gjeturat e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe raportit zyrtar të ekspertëve të zjarrit që kanë dalë poashtu në vendin e ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor./Indeksonline/