13:01 / E Martë, 06 Mars 2018

Skënderbeu pa titull kampion, ja përgjigjia e CAS-it

Titulli i Superiores i sezonit 2015-2016 është në dorë të CAS-it të Lozanës. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka përfunduar tashmë gjykimin e çështjes në fjalë, të relatuar pranë saj nga klubi korçar i futbollit, që nuk është pajtuar me heqjen e titullit në fjalë nga Komisioni i Etikës pranë FSHF-së. Kujtojmë se kuqebardhët e kanë konsumuar një dënim të dhënë nga UEFA, me mospjesëmarrje një vit në Kupat e Europës, pasi janë konstatuar disa ndeshje të tyre në garat europiane, por edhe në kampionatin shqiptar, si të paravendosura në rezultat. Kompanitë partnere të UEFA-s, që merren me monitorimin e lëvizjeve të koeficentëve të basteve kanë dalë në përfundimin se ka shumëçka që nuk shkon te një numër i konsiderueshëm i sfidave të Skënderbeut. Në bazë të këtyre relacioneve, është kërkuar së fundi edhe dënimi përtfundimtar i kryesuesve të Superiores me 10 vite pezullim nga Kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë. Sidoqoftë, çështja e titullit të hequr nga Etika është një histori më vete për Skënderbeun dhe pret të mësojë së shpejti verdiktin nga CAS-i, që është edhe hallka e fundit e një gjykimi sportiv në kontinent. Skënderbeu është në pritje të këtij vendimi, sepse nëse shkon në favor të tij, i jep kredite të konsiderueshme edhe për betejën tjetër në UEFA, lidhur me raportin e fundit të inspektorëve të qeverisë europiane të futbollit. Po ashtu, pret edhe Partizani, me shpresën se mbetja në fuqi e vendimit të Etikës së FSHF-së do ta dërgojë titullin te të kuqtë, që ishin nënkampionët e vendit në sezonit e cituar më sipër. Pas një kontakti me email me Gjykatën e Lozanës, “Telesport” mori përgjigjen e mëposhtme:

I nderuar zotëri,
Faleminderit për mesazhin tuaj dhe për interesimin mbi aktivitetet e Gjykatës së Arbitrazhit për Sport (CAS). Ju lutemi të këshilloheni se vendimi i Arbitrazhit është duke u finalizuar. Ai do t’ju njoftohet palëve në javët e ardhshme.
Ju faleminderit.

Mos i humb

Të fundit