11:02 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

“Skënderbeu” sot pa roje! (Foto)

Policia e Kosovës ka arrestuar dje dy persona në Prishtinë, të cilët ishin prezantuar si “Garda e Nderit” të shtatores së Gjergj Kastrioti- Skënderbeut .

Arrestimin e kishte konfirmuar edhe policia e Kosovës, sipas së cilës `dy të dyshuarit nuk kishin leje për të bërë një gjë të tillë dhe nuk ishin të autorizuar nga autoritetet për ruajtjen e monumenteve, shkruan Indeksonline.

Kurse, Kastriot Berisha, i cili ishte iniciator dhe paguante personat të cilët ruanin shtatoren e “Skenderbeut” ka thënë dje se nuk ishte bërë asnjë shkelje nga personat e arrestuar nga policia.

“Kjo është një lojë e ndyrë e kësaj klase politike antikombëtare, por duke pasur parasysh se nuk ka asnjë vepër penale dhe se lëvizja e lirë e njeriut është e garantuar me ligj dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare, atëherë ky akt i shëmtuar nuk mund të quhet arrestim por kidnapim nga shteti i kapur nga antishqiptarët”, ka thënë Berisha.

Sot, një ditë pas largimit të “Gardës së Nderit” nga sheshi, shtatorja e heroit Gjergj Kastrioti nuk ka roje rrethit.

Vendosjen e rojave, shpenzimet e të cilëve do t’i mbulonte vet, e ka bërë në mënyrë vullnetare kryetari i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, Kastriot Berishaj.

Ai fillimisht kishte kërkuar nga institucionet e Kosovës që të vendosnin roje te shtatorja, por meqë kërkesa  e tij nuk u realizua, Berishaj ndërmori vet këtë iniciativë. /Indeksonline/