22:50 / E Shtunë, 17 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Skocia turpëron Shqipërinë, tifozët thërrasin “Panucci vaffanculo”

Ndër vite Kombëtarja shqiptare është përballur me kundërshtarë të ndryshëm, nga ato më të dobëtat, deri të ato elitaret, që i kanë dhënë tonin futbollit botëror, por vështirë të gjesh në histori, një “makth” si ky që kuqezinjtë përjetuan mbrëmjen e sotme në “Loro Boriçi, ku u mposhtën me rezultatin e thellë 0-4 nga Skocia.

Shqipëria ka marrë një humbje turpërues ndaj Skocisë me rezultatin 0-4 në “Loro Boriçi”, ndeshje e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Mërgim Mavraj duhej të ishte lideri që do të udhëhiqte Kombëtaren kuqezi drejt suksesit, por “katranosi” gjithçka pasi la skuadrën me 10 futbollistë pas vetëm 23 minutash lojë, moment ky që i hapi udhë një “nate të zezë” të futbollit shqiptar.

Mysafiret zhbllokuan rezultatin me golin e Fraser në minutën e 14′.

Fletcher do të dyfishonte rezultatin në fundin e pjesës së parë nga pika e bardhë e penalltisë.

Në pjesën e dytë ishte radha e Forrest që me dopietën e tij vulosi rezultatin 0-4.

Të zhgënjyer maksimalisht nga ajo që po shihnin në fushën e lojës, tifozët e shumtë që kishin mbushur shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, kërkuan largimin e trajnerit Panucci dhe këtë e bënë në gjuhën e tij, duke thirrur në kor “Panucci Vaffanculo”.

Një fitore e merituar e skocezëve përballë një Shqipërie të pafuqishme, që nuk arriti të gjuante qoftë edhe njëherë të vetme në kuadrat. E gjithë përgjegjësia bie mbi trajnerin, i cili duket se i vuri kapak zhgënjimeve ma paraqitjen e sotme.

Temat: