12:41 / E Hënë, 22 Shkurt 2021 / C E

Solskjaer e paralajmëron Guardiolën: Gara për titull nuk ka marrë fund

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka paralajmëruar liderin e Manchester Cityt se skuadra e tij nuk do ta bëjë asnjë lëshim në përpjekjet për t’i bërë trysni atij në garë për titull në Premierligë, pas fitores 3:1 kundër Newcastlet në Old Trafford.

Marcus Rashfordi, Daniel Jamesi dhe Bruno Fernandesi shënuan për fitoren e parë të “djajve të kuq” në tri ndeshjet e fundit, ndërkohë që Allan Saint-Maximi e shënoi golin e vetëm për vizitorët në Old Trafford.

Kjo fitore erdhi pas një triumfi të thellë 4:0 kundër Real Sociedadit në Ligën e Evropës të enjten dhe, sipas Solskjaerit, Unitedi e ka tejkaluar dështimin e javëve të kaluara.

Por pavarësisht fitores, Unitedi ngel 10 pikë prapa liderit dhe rivalit, Manchester Cityt pas 23 ndeshjeve.

Megjithatë, trajneri norvegjez s’e ka ndërmend të dorëzohet.

“Nuk do të them se ka marrë fund derisa të marrë fund. Ne kemi qenë dëshmitarë të shumë ekipeve që janë mbajtur, kanë vazhduar me punë dhe e kanë bërë punën e vet. Diçka mund të ndodhë”, tha Solskjaeri.