17:35 / E Enjte, 29 Prill 2021 / B O

Sony fitoi neto 11 miliardë dollarë brenda një viti

Kompania e elektronikës Sony njoftoi se në vitin fiskal 2020 fitimi neto i kompanisë për herë të parë ka tejkaluar pragun prej 1 trilion jen dhe ka arritur në 1.17 trilionë jen (11 miliardë dollarë), raporton AA.

Sony Group, në një periudhë kur ndikimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në ekonomi vazhdon, ka shënuar rekord në fitimin neto të bilancit të mars 2020-mars 2021, transmeton IndeksOnline.

Sipas bilancit të përditësuar, shitjet e kompanisë me një rritje prej 9 për qind kanë arritur në 9 trilionë jen (82 miliardë dollarë) ndërsa fitimi operativ me një rritje prej 15 për qind ka arritur në 971 miliardë jen (9 miliardë dollarë).

Në rritje ka tërhequr vëmendjen edhe ndikimi i lançimit të PlayStation 5 në treg në nëntor 2020, pasi për shkak të pandemisë së COVID-19 kishte kërkesë të madhe në sektorin e lojërave.

Drejtori kryesor financiar Totoki Hiroki në konferencën online për media tha se “Si rezultat i përpjekjeve kumulative 10-vjeçare kemi arritur të kalojmë pragun prej 1 trilion jen. Ky nuk është një ndryshim që ndodh përnjëherë”.

Sony, kompania në sektorin e elektronikës, lojërave, muzikës dhe shërbimeve financiare, fitimin më të madh neto vjetor që ka njoftuar më parë ishte 916 miliardë jen (8.5 miliardë dollarë) në vitin 2018.