09:48 / E Enjte, 14 Tetor 2021 / AR

Sot 17 vjet nga tragjedia e maturantëve të Malishevës, Begaj përkujton viktimat

Sot bëhen 17 vjet kur 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri” nga Malisheva kanë humbur jetën gjatë një ekskursioni që po bënin në Shqipëri.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj përmes një njoftimi ka përkujtuar viktimat, raporton Indeksonline.

Njoftimi i plotë:

Sot u mbushën 17 vite nga tragjedia më e rëndë në Kosovën e pasluftës, kur humbën jetën 15 maturantë të Komunës së Malishevës, në një aksident trafiku, përderisa po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri. Kjo ishte ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në shkollat në Republikën e Kosovës, pasi humbën jetën 15 të rinj, nxënës të Gjimnazit “Avdyl Frashëri” (tani Gjimnazi “Hamdi Berisha”).

Në tragjedinë e cila ka ndodhur në Fushë Arrëz në Shqipëri, më 14 tetor 2004, kanë humbur jetën: Berat Suka, Esat Hajrullahu, Elgadaf Zabelaj, Mifail Morina, Rifat Hoxha, Xhevdet Sertolli, Visar Kafexholli, Agron Berisha, Ajet Rrahmanaj, Esat Rexhaj, Labinot Morina, Lulzim Kastrati, Megzon Sadiku, Rruhi Ulluri dhe Xhevdet Sahitaj, të gjithë maturantë të Gjimnazit në Malishevë.

Më 16 tetor 2004, është bërë varrimi i tyre në “Lëndinën e lotëve” në varrezat e lagjes së Gurit në Malishevë, ndërsa për çdo vit, përkujtohet dhe bëhen homazhe në nderim të 15 maturantëve, pas orës 14, kur edhe ka ndodhur aksidenti tragjik.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për maturantët!