11:00 / E Shtunë, 10 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Sot në Prishtinë, karneval, ekspozitë me ballina të mediave botërore dhe koncert festiv

Ndonëse mund të ketë edhe reshje shiu, edhe sot pritet që sheshet e Prishtinës të vlojnë prej aktiviteteve.
Prej ores 13:00 deri në orën 15:00, nga sheshi “Skënderbeu”, deri te sheshi “Zahir Pajaziti”, do të mbahet karnevali i rreth 500 fëmijëve për pavarësinë i organizuar nga kisha “Shën Ndou”, i cili do të shoqerohet edhe me lojëra të ndryshme për fëmijë.

Në orën 15:00, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të hapet ekspozita “Rrënjët e shtetit”, me mbi 100 ballina të mediave botërore për Kosovën nëpër vite.
Hapjen e kësaj ekspozite e ka konfirmuar edhe Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ.

“Është një ekspozitë e vecantë. Janë ballina të mediave botërore, ku pasqyrohet rrugëtimi shumëvjecar i Kosovës dhe i qytetarëve tanë. Kemi zgjedhur t’i ekspozojmë këto ballina në këtë dhjetëvjetor dhe ekspozitën ta quajmë “Rrënjët e shtetit”, për të kujtuar jo vetëm rrugëtimin tonë, por edhe sakrificën e qytetarëve tanë, familjeve tona, deri të Pavarësia e Kosovës”, ka thënë Behramaj.

Kurse, duke filluar nga ora 20:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të mbahet edhe një koncert festiv me mbi 10 këngëtarë.
I pyetur se pse ende nuk është bërë publik i tërë programi festiv, Behramaj ka thënë se do të bëhet publik në ditën që miratohet buxheti për shënimin e dhjetëvjetorit nga ana e Qeverisë së Kosovës.