09:58 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Testohen sot edhe 76 mësimdhënës në Fushë- Kosovë, për Covidin-19

Në javën e dytë të fillimit të procesit mësimor në mbarë vendin, me gjithë disa vërejtje të vogla, duket se çdo gjë po ecën siç është planifikuar.

Në  Komunën e Fushë- Kosovës, e cila ka njërën ndër shkollat më të mëdha në Kosovë , “Mihal Grameno”, javën që shkoi dy mësimdhënëse kanë rezultuar pozitive me Covid-19, e të cilat më pas janë vetizoluar dhe vazhdojnë ende deri në pritjen e rezultateve, të cilat dëshmojnë se ato e kanë kaluar virusin korona.

Përveç dy mësimdhënësve që janë testuar, javën e kaluar testin e kanë kryer edhe 48 mësimdhënës të tjerë, e të cilët kanë rezultuar negativë.

Ndërsa drejtori i Arsimit në këtë komunë Islam Shabani, në një prononcim për IndeksOnlinen ka thënë se sot do të bëhet testimi edhe i 76 mësimdhënësve të tjerë.

“Mësimdhënësit testohen sot, 40 prej tyre do të shkojnë në orën 11:00 për të kryer analizat,dhe 36 në orën 13:00 dhe kryhet testimi”, tha Shabani për IndeksOnlinen.

Shabani ka treguar se gjendja e dy mësimdhënëseve tashmë të prekura nga Covid-19, është stabile, por se vazhdojnë të qëndrojnë në izolim.

Ndërkohë edhe numri i nxënësve që po vijojnë mësimin në këtë komunë, sipas Shabanit i ka befasuar për të mirë, pasi që shumica dërmuese e fëmijëve i janë kthyer procesit mësimor.

“Jemi duke u habitur, janë duke ardhur 99 për qind i nxënësve. Një numër i vogël po mungon, nuk kemi ende ndonjë nxënës me virus, nuk kemi pasur deri tashti”, theksoi Shabani.

Deri tani procesi mësimor në këtë komunë siç ka sqaruar Shabani, ka shkuar në rregull, duke përfillur rekomandimet e institucioneve shëndetësore, duke mbajtur në vazhdimësi maskat, e duke respektuar distancën fizike.

Ndryshe edhe në Komunën e Prishtinës, përkatësisht zëdhënësja e kësaj komune Miranda Mullafazliu, ka bërë të ditur për IndeksOnlinen se procesi po ecën siç është paraparë, pa ndonjë vërejte të theksuar dhe se deri tani nuk ka ndonjë rast të evidentuar si shkelje e rregullave antiCovid ose moszbatim i protokollit në shkollat e kryeqytetit./IndeksOnline/