15:27 / E Premte, 23 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Sot zhvillohet ndeshja më shtrenjtë në histori të sporteve

“Është krejt ndryshe nga çfarë golfi ka bërë ndonjëherë në të shkuarën. Është mundësia që golfi të shihet në një këndvështrim tjetër”, tha Tiger Woods në një konferencë për shtyp krah Phil Mickelson të martën, me dy rivalët që do të përballen këtë të premte, duke nisur prej orës 21.00 me orën tonë.

Është sporti modern, i ndërthurur me televizionin dhe me marketingun, ndaj edhe golfi ka nevojë për inovacion. Ndryshime të shumta për ta bërë golfin sa më tërheqës për njerëzit, duke përfshirë lejimin e anëtareve femra në klubet e golfit, por këtë radhë duket sikur u kalua paksa caku.

A ka nevojë golfi që Woods e Mickelson, dy burra në të dyzetat që vlejnë 2.5 miliardë dollarë së bashku, të luajnë një ndeshje që vlen 9 milionë dollarë për fituesin?

Me sa duket, golfi ka nevojë për këtë gjë, ashtu si boksi që vitet e fundit është kthyer në një cirk gjigant, duke futur edhe spektaklin e MMA-së brenda.

Në teori ndeshja ka edhe qëllime bamirësie, por në praktikë janë miliona dollarë për dy lojtarët dhe për organizatorët e ndeshjes. Edhe fotot e dy protagonistëve, para ndeshjes, duke pozuar para një mali me para, janë cilësuar si krejt pa shije apo të shpifura nga shumë njerëz.

Gjatë ndeshjes dy yjet e golfit do të mbajnë mikrofona për t’u dëgjuar nga spektaktorët përpara televizorit, ndërsa sfida do të luhet me dyer të mbyllura dhe do të jenë të pranishëm vetëm dy sportistët, televizionet, sponsorët, stafet dhe personazhe VIP.

IDEJA – Producenti i Hollywood, Bryan Zuriff, është një tifoz golfi dhe e diskutoi idenë me Jack Whigham, kreun e CAA (Agjencia e Artistëve në Kaliforni).

“Nisëm të mendonim ‘a nuk do ishte interesante sikur të luhej një ndeshje mes dy më të mëdhenjve të golfit, por ashtu si luajmë mes shokësh?’. E keni parasysh, kur vë bast për çdo gjë dhe fillon e tallesh apo grindesh me kundërshtarin e lojës. Në Hollywood një ndër gjërat më zbavitëse është të thuash gjithë kohën me vete ‘pse mos ta bëjmë diçka të tillë?’”, tha Whigham për Golf Digest.

Prej pranverës së këtij viti ideja u diskutua me Mickelson dhe më pas me Woods, i cili po kthehej në nivelin e tij të zakonshëm, pas problemeve fizike që e bezdisën për një kohë të gjatë.

Në fund, u arrit marrëveshja: përballje direkte, kokë më kokë, pa qenë nevoja për të marrë pjesë në një turne me ture kualifikuese deri në finale. Sfida do të zhvillohet në Shadow Creek, në veri të Las Vegasit në Nevada. Një ndeshje aty kushton 500 dollarë, fusha e dytë më e shtrenjtë në Amerikë, pas Pebble Beach, ku një ndeshje kushton 595 dollarë. Lojtarët janë të detyruar të paraqiten me limuzinë dhe të qëndrojnë në MGM Hotel, aty pranë.

MILIONAT – Janë 9 milionë dollarë në lojë dhe organizatorët e ndeshjes nuk humbasin rast për ta reklamuar këtë fakt. Sa për krahasim, Francesco Molinari fitoi The Open – titulli më prestigjioz në golf – dhe arkëtoi 1.6 milionë euro. Ndërkaq, numri 1 i botës, Justin Rose, fitoi thuajse 12 milionë dollarë në gjithë sezonin 2018.

Sa para do të shkojnë për bamirësi? Askush nuk e di saktë dhe flitet se Woods e Mickelson do vendosin baste gjatë ndeshjes, me humbësin që do i dhurojë paratë për bamirësi. Megjithatë, 9 milionë dollarët do të shkojnë në xhepin e fituesit. Woods fitoi rreth 5 milionë dollarë këtë sezon, Mickelson rreth 4 milionë dollarë.

BASTET – Elementi i bamirësisë duket se është futur qëllimisht për një arsye krejt të kundërt dhe të errët. Në Amerikë ligjet për bastet po bëhen gjithnjë e më tolerante dhe golfi po futet në botën e basteve. Edhe sfida e madhe mes Woods e Mickelson do të jetë e kuotuar në tregun botëror, mënyra më e lehtë ndoshta për ta bërë një sport të ndjekur në gjithë botën.

Sfida e boksit mes Conor McGregor e Floyd Mayweather ishte ndoshta shembulli më i qartë si mund të “milet lopa” dhe të arkëtohen miliona pa fund, nga bastet, sponsorët, televizionet e ç’të jetë e mundur. Ndoshta për golfin është diçka e mirë, fundja reklama dhe rrjetet sociale janë mënyra e vetme për të tërhequr turmën dhe sidomos të rinjtë, por nëse dy njerëzit më të pasur në botën e golfit përballen dhe gjithçka fokusohet te 9 milionë dollarët, një shije e hidhur të mbetet në gojë. Ndoshta po të luanin për një shifër më të vogël, apo të mos përmendeshin fare milionat, do ishte më mirë, por kjo është bota e shekullit të 21-të, një gjest i këndshëm nuk vlen sa bombardimi me reklama për milionat e hedhura apo të arkëtuara.