17:08 / E Mërkurë, 14 Prill 2021 / e. b

Spanja miraton regjistrin e fitimeve për të zvogëluar hendekun gjinor të pagave

Në përpjekjen e fundit të qeverisë spanjolle për të tejkaluar hendekun gjinor të pagave, duke filluar nga dita e sotme, të gjitha kompanitë janë të detyruara ligjërisht të kenë një regjistër që ndan fitimet mesatare në secilin vend pune sipas gjinisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas ligjit, qëllimi është që të “sigurojë pagë të barabartë për një punë me vlerë të barabartë”.

Bizneset me më shumë se 100 të punësuar gjithashtu duhet të kontrollojnë regjistrin dhe të ndërmarrin veprime të qarta nëse gratë paguhen më pak se kolegët e tyre.

Për të gjitha kompanitë, të dhënat e pagës sipas gjinisë, shpërblimet dhe format e tjera të pagesës mund të kërkohen nga sindikatat ose përfaqësuesit e punonjësve, të cilët mund të kontrollojnë nëse ka diskriminim.

Ky informacion mund të përdoret më pas për të ndërmarrë veprime kolektive ose për t’iu nënshtruar procedurave ligjore.

Nëse “diskriminimi i pagave” provohet në gjykatë, kompanitë do të duhet të paguajnë gjobë nga 6.251 euro deri në 187.515 euro.

“Revolucion” për negociatat e punës

Unioni i Përgjithshëm i Punëtorëve të Spanjës (UGT), në një njoftim për shtyp tha se ky ndërrim paraqet “një revolucion autentik në negociatat kolektive”.

Në vitin 2018, gratë në Spanjë kanë fituar 21 për qind më pak sesa burrat mesatarisht, sipas agjencisë kombëtare të statistikave të Spanjës.

Ulja e pabarazisë gjinore është një nga prioritetet kryesore të qeverisë së koalicionit progresiv të Spanjës, e cila identifikohet si feministe.

Disa biznese janë ankuar se nuk kanë marrë udhëzime të qarta se si të bëjnë regjistrin edhe pse ligji hyri në fuqi sot, por u miratua me dekret tetorin e kaluar.

Të enjten, ministri spanjoll i Punës dhe Ekonomisë Sociale Yolanda Diaz do të paraqesë “formularin e pagës së barabartë” për të lehtësuar procesin.

Kompanitë që nuk kanë regjistër të fitimeve do të përballen me gjoba që variojnë nga 626 euro deri në 6.250 euro.