15:46 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

Sqarohet prokuroria: Dy nga shtatë të dyshuarit për fajde janë në kërkim

Gjatë ditës është raportuar se Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona, dhe se të njëjtëve i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh, përcjellë Indeksonline.

Mirëpo përmes një njoftimit, Prokuroria ka sqaruar se nga shtatë të dyshuarit për fajde dhe detyrim, dy janë ende në kërkim.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të drejtë e të saktë, njofton opinionin se dy prej të dyshuarve, lidhur me kryerjen e veprave penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, janë në kërkim, ndërsa pesë prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës Indeksonline ka mësuar se në mesin e të arrestuarve janë Ismet Osmani, i njohur me nofkën Curri, Ilir Bojku, Mentor Maqani e Rrahim Hashimi.

Sipas burimeve të Indeksonline ky grup ka tentuar t’a marr në mënyrë të kundërligjshme për fajde shtëpinë e Faton Dalladakut që ndodhet në “Pejton” dhe disa prona të tjera.

E gjithë vlera për të cilën po hetohen të arrestuarit është mbi 2.5 milionë euro. /Indeksonline/