10:35 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017

Stadiumi më i shtrenjtë i Premier League është i mbushur me minj

Tifozët e Arsenal, kur skuadra luan në shtëpi, nuk duhet të përballen vetëm me tifozët kundërshtarë por edhe më një “armik” më shumë. “Emirates Stadium”, impianti që arkëton më shumë para në Europë dhe që ka çmimet më të larta në Angli (i dyti në Europë pas PSG), është i mbushur me minj. Këta brejtës kanë pushtuar të katër katet e stadiumet duke detyruar “Topçinjtë” që të marrin masa. Një situatë që ka kthyer në mendje atë që ka ndodhur në “Old Trafford” në 2013-ën.

Një raport mbi higjenën, i bërë në tetor të 2016-ës, ka zbuluar praninë e jashtëqitjeve minjsh brenda stadiumit. Një situatë shqetësuese, siç ka bërë të ditur shtypi anglez, që ka zbuluar edhe disa detaje. Inspektorët kanë gjetur prova për praninë e minjve në kuzhinë, në soba, në tubacione dhe në zona të tjera. Minjtë janë të pranishëm në të katër katet e stadiumit dhe Arsenal është justifikuar duke shpjeguar se problemi është sinjalizuar dhe se ka kontaktuar disa kompani që merren me probleme të tilla.

Një zëdhënës i klubit ka thënë: “Shëndeti dhe siguria e tifozëve tanë kanë qenë gjithmonë përparësia jonë dhe kemi mbetur shumë të zhgënjyer kur jemi informuar për këtë situatë në tetorin e 2016-ës. Pasi kemi marrë raportin kemi marrë disa masa në zona të ndryshme. Kemi besim në hapat që kemi ndërmarrë vitin e kaluar dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ekspert të jashtëm për të garantuar se jemi duke ndërmarrë nismat e duhura”.