23:40 / E Diele, 18 Mars 2018 / indeksADMonline

Stuhi e madhe në Britani, anulohen mbi 140 fluturime (Foto)

Britania e Madhe është përfshirë nga një mot i lig dhe temperatura të ulëta, gjë e cila ka ndikuar në anulimin e 146 fluturimeve në aeroportin e Londrës “Heathrow”.

Bora në disa pjesë të ishullit britanik ka arritur në 25 centimetra, ndërkohë që është shkaktuar kaos edhe në rrugë ku nuk kanë munguar as aksidentet e shumta.

Autoritetet po ashtu njoftuan edhe për ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të vendit, si pasojë e valës së dytë të ftohtit siberian që ka kapluar Britaninë e Madhe këtë vikend.

Po ashtu, pritet vazhdimi i reshjeve të borës deri në 40 cm dhe rënie e temperaturave deri në minus 10 gradë Celsius.

Këtë mbrëmje edhe shërbimi i trenave Great Western Railway është ndërprerë për shkak të motit të ligë.

Më shumë se 10,000 udhëtarë të frustruar kanë mbetur pa fluturuar për shkak të anulimit të 146 fluturimeve në aeroportin “Heathrow” si pasojë e motit.

Aer Lingus ka anuluar fluturimet drejt Belfastit dhe Dablinit, ndërsa një gjë të tillë ka bërë edhe Lufthansa për fluturimet drejt qyteteve gjermane Frankfurt dhe Munih.

Kompanitë tjera ajrore Air France, KLM, Swiss dhe TAP Portugal po ashtu kanë ndërprerë fluturimet drejt “Heathrow”.