17:08 / E Enjte, 26 Tetor 2023 / L K

Sulmi terrorist në Bruksel, autoritetet belge arrestojnë një tunizian

Autoritetet e Belgjikës kanë lëshuar një urdhër arresti për personin që u arrestua të mërkurën në lidhje me sulmin terrorist të ndodhur në Bruksel më 16 tetor. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për Lamjed K., i datëlindjes 17.08.1979, shtetas tunizian.

“Ky person u akuzua për vrasje dhe tentativë vrasjeje në një kontekst terrorist si dhe pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist”, tha policia.

Prokurorët federalë aktualisht po konfirmojnë një lidhje të mundshme me armën e përdorur në sulmin terrorist të 16 tetorit që vrau dy shtetas suedezë.

Të mërkurën autoritetet belge kishin proceduar me arrestimin e një personi për një lidhje të mundshme me armën, e cila u përdor nga terroristi i Brukselit Abdeslam Lassouedt në sulmin e 16 tetorit, thuhet në një deklaratë të prokurorisë.