23:43 / E Enjte, 18 Tetor 2018

Sulmohet me koktej molotovi shtëpia e një shqiptari në veri të Mitrovicës, ai dyshon në serbët

Rreth orës 20:40 sonte është sulmuar me koktej molotovi shtëpia e Qamil Hajrizit në Lagjen e Doktorëve në Mitrovicën e Veriut.

Hajrizi ka thënë në edicionin lajmeve së televisionit të orës 23:00 se në momentin e sulmit në shtëpi kanë qenë gruaja dhe vajza e tij.

Ai ka thënë se sulmet e tilla kanë qenë të shpeshta në të kaluarën dhe dyshimet i ka në banorët serbë të asaj pjese.

“Ka pasur edhe përpara këso sulme por kohët e fundit jo. Kanë qenë gruaja vajza që kanë thënë se fillimisht kanë dëgjuar një zhurmë dhe më pas ka shpërthyer zjarri. Kanë dalë në ballkon dhe kanë thirrur fqinjët për ndihmë të cilët janë munduar t’i ndalin flakët. Dëmet janë goxha të mëdha por për fat të mirë në familje nuk ka pësuar askush”, ka thënë Hajrizi.

“Kemi pas sulme përpara edhe këtu që kanë ardhur nga pjesa serbe. Sigurisht prej tyre është edhe ky sonte, sepse këndej vetëm ata qarkullojnë. Sulmi ka ardhur nga ana prej serbëve. Shenjat që verifikoi polica janë prej kësaj ane që ka ardh sulmi. Është verifikuar se sulmi është kryer me koktej molotovi dhe që është sulm i qëllimshëm”, ka thënë tutje ai.

Hajrizi ka thënë se ndjehen të rrezikuar vazhdimisht nga sulme sikur  ky i ditës së sotme.

“Të rrezikuar jemi të gjithë, por nuk kemi çfarë të bëjmë. As kontrolle të policisë nuk ka as shteti nuk është i interesuar për këtë”, ka përfunduar Hajrizi.