75 Mall Live Search
14:15 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Surdulli komenton vendimin e Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë dje kërkesën e LDK-së, respektivisht Shaip Surdullit, që komuna e Kamenicës të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kësisoj, kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati do të vazhdojë deri në fund postin e kryetarit, shkruan Indeksonline.

Në ankesën e parashtruar nga dega e LDK-së në Kamenicë thuhej se Kastrati është zgjedhur kundërligjshëm në krye të kësaj komune.

Këtë vendim të Kushtetueses e ka komentuar ankuesi Surdulli, i cili në një prononcim për Indeksonline ka thënë se priste tjetër përgjigje nga kjo gjykatë.

“Ankesën e bëmë pasi që pas zgjedhjeve të balotazhit në zgjedhjet komunale të fundvitit të kaluar nga vet administrata e Komunës së Kamenicës u njoftua publikisht se kryetari i komunës, Qëndron Kastrati për herë të parë në jetën e tij u regjistrua banor i komunës së Kamenicës me 21 gusht 2017, d.m.th nuk ka jetuar së paku 3 vite në këtë komunë siç e parasheh edhe ligji”, ka thënë Surdulli.

Pas këtij njoftimi, Surdulli ka njoftuar se LDK ka bërë ankesë në PZAP, nga i cili panel ka marr përgjigje negative me arsyetimin se ankesa ka qenë e paafatshme.

“Vendimi i PZAP nuk kishte lënë mundësi për ankesë në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës. Atëherë me 26 dhjetor bëmë ankesë në Gjykatën Kushtetuese me të gjitha arsyetimet e mundshme dhe kemi pritur që kjo gjykatë, më e larta në nivel të Kosovës do t’i korrigjoj vendimet e KQZ dhe PZAP, do të marr parasysh që zgjedhja e kryetarit të Kamenicës është bërë në kundërshtim të ligjit për zgjedhjet komunale”, ka theksuar Surdulli.

Vendim pozitiv nga Kushtetuesja, Surdulli ka thënë se nuk priste vetëm ai, por edhe shumë qytetarë të Kamenicës, të cilët janë zhgënjyer nga qeverisja e Kastratit.

“Nuk ndodhi ajo që kemi pritur, jo vetëm ne si parashtrues të ankesës, por edhe shumë qytetarë të Kamenicës, të cilët janë të zhgënjyer shumë me këtë kryetar, për shkak të veprimeve që po i bën e që kanë të bëjnë me mosdije të menaxhimit të punës, emërimit të drejtorëve të papërvojë e joprofesional”, ka shtuar Surdulli.

Sipas tij, Kastrati ka sjell në komunë drejtor nga Gjilani e Prishtina, kurse shefin e kabinetit e ka emëruar nga Gjakova, që është delegat i komunës së Prishtinës.

“Pra, opinioni mezi ka pritur përsëritje të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kamenicës, por për fat të keq e në dëm të komunës së Kamenicës, Gjykata Kushtetuese e konfirmoi shkeljen e ligjit për zgjedhjet komunale”, ka përfunduar Surdulli./Indeksonline/