11:13 / E Shtunë, 06 Tetor 2018 / indeksADMonline

Masa për arsimtarët që mbyllen shkollën me dry dhe ndezën ngrohje vetëm në sallën e tyre

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka paralajmëruar masa për të gjithë punëtoret e arsimit në komunën e tij, që po shkelin sipas tij ligjin. Ai ka dalë në një inspektim të paparalajmëruar në disa shkolla në fshatrat e Malësisë, pasi që kishte marrë ankesa nga banorët dhe prindërit e asaj ane për mos funksionimin e shkollave.

Kastrati thotë të ketë hasur në shkolla të mbyllura me dry ani pse mësimi është dashur të nis qysh moti në ato shkolla.

Ai ka thënë se nuk do që gjatë mandatit të tij të largojë njerëz nga puna, por që për ata punëtorë që bëjnë shkelje nuk do t’i mbyllë sytë.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Kastratit:

“Ka kohë që kam marrë shqetësime të vazhdueshme të prindërve dhe banorëve për keqfunksionimin e mos vijimin e rregullt të mësimit në shkollat në fshatrat e Malësisë. Javën që shkoi vendosa të dal personalisht në një kontrollë të pa paralajmëruar në disa nga këto shkolla. Situata që pamë nuk ishte vetëm shqetësuese por ishte alarmuese 🙁 Njëra nga shkollat ishte e mbyllur me dry, ndonëse mësimi do të duhej të fillonte në atë kohë. Rrugës nga shkolla në shkollë takuam një fëmijë që mëson në njërën nga këto shkolla. Ai na tha që në shkollën ku mëson, stufa ndizet vetëm në sallën e arsimtarëve dhe zyren e drejtorit kurse në klasë jo. Në fillim e morra me dyshim, por qysh në shkollën e ardhshme që vizituam e gjetëm stufën e pa ndezur në klasët ku mbahej mësim, përkundër sallës së arsimtarëve dhe të drejtorisë që ishin të ndezura. Unë nuk dua që gjatë mandatit tim të largohen njerëz nga puna, por për ata punëtorë që bëjnë shkelje të tilla nuk mund t’i mbylli sytë. Në përgjithësi shkollat e kësaj ane kanë infrastrukturë tepër të dëmtuar. Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, edhe në ato shkolla ku mësimi vijon me rregull, nuk mund të flasim për cilësi në mësimnxënie. Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, fëmijët janë të pasocializuar në mungesë të shokëve e shoqeve, arsimtarët janë të pamotivuar për punë, e prindërit të alarmuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ndonëse nuk kam vendosur se cilat do të jetë veprimet konkrete, për një gjë jam i sigurt:  KJO GJENDJE NUK DO TË VAZHDOJË GJATË!